Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, priti të premten homologët e tij nga Estonia, Letonia dhe Lituania në Pentagon për të diskutuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.
Në një konferencë të përbashkët për media me Hanno Pevkur (Estoni), Andris Spruds (Letoni) dhe Dovile Sakaliene (Lituani), Hegseth tha se "Shtetet e Bashkuara mbeten plotësisht të përkushtuara ndaj NATO-s. Së bashku, po arrijmë paqe përmes forcës në Evropë duke krijuar kushtet për një paqe të qëndrueshme të negociuar në Ukrainë, duke ndërtuar një sistem të qëndrueshëm parandalimi dhe duke rritur aftësitë dhe ndërveprueshmërinë mes aleatëve."
Ai gjithashtu përgëzoi vendet baltike për angazhimin e tyre për të shpenzuar 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen.
"Ky përkushtim i aleatëve për 5% të shpenzimeve për mbrojtje do ta bëjë NATO-n më të fortë, më të qëndrueshme dhe më të fuqishme", deklaroi Sekretari.
Në Samitin e fundit të NATO-s në Hagë, aleatët ranë dakord të investojnë 5% të PBB-së çdo vit deri në vitin 2035 për nevojat thelbësore të mbrojtjes dhe sigurisë.
Ministri estonez Pevkur deklaroi se vendi i tij do të shpenzojë edhe më shumë se 5% vitin tjetër dhe në vitet në vazhdim.
"Do të vazhdojmë t’i shtyjmë aleatët e tjerë të bëjnë të njëjtën gjë, që Evropa dhe Kanadaja të ndajnë barrën e drejtë me ShBA-në."
Ai theksoi se ndonëse vendet e Balltikut janë gati të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë evropiane, roli i ShBA-së në frenimin në krahun lindor të NATO-s mbetet “vendimtar”.
"Takimi i sotëm është dëshmi e partneritetit të fortë dhe të besuar mes shteteve të Balltikut dhe Shteteve të Bashkuara."
Ministri letonez Spruds theksoi se Letonia e merr shumë seriozisht çështjen e buxhetit të mbrojtjes dhe e cilësoi Rusinë si një "kërcënim afatgjatë":
"Duhet ta mbështesim Ukrainën, por kjo nuk ka të bëjë vetëm me Evropën, ka të bëjë edhe me rajonin Indo-Paqësor dhe me stabilitetin global në përgjithësi."
Ministrja lituaneze Sakaliene njoftoi se vendi i saj ka marrë një "vendim të guximshëm" për të kaluar mbi 5% të PBB-së për mbrojtje."
Ajo theksoi se rritja e industrisë së mbrojtjes është prioritet i Lituanisë, dhe ftoi kompanitë amerikane të investojnë në vendin e saj, duke u shprehur: "Ofrojmë 0% tatim për korporatat, korridore të gjelbra pa burokraci dhe teknologji më të avancuara."
Ministrja shtoi se Lituania është e përkushtuar në mbështetjen e Ukrainës dhe përshëndeti vendimin e Presidentit Trump për të dërguar armë amerikane në Ukrainë, të financuara plotësisht nga aleatët e NATO-s: "Lituania është e gatshme të kontribuojë në blerjen e sistemeve Patriot për Ukrainën të prodhuara nga Shtetet e Bashkuara."