RAJONI
3 MINUTA LEXIMI
Marrëveshja Shqipëri-Itali për emigrantët në komisionet parlamentare
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla, duke analizuar elementet kyç të marrëveshjes vuri theksin te numri i përgjithshëm i migrantëve i cili nuk mund të kalojë shifrën prej 3.000 personave.
Marrëveshja Shqipëri-Itali për emigrantët në komisionet parlamentare
Marrëveshja Shqipëri-Itali për emigrantët në komisionet parlamentare / Photo: Ministria e Brendshme e Shqipërisë
11 Dhjetor 2023

Në Komisionin e Politikës së Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë është shqyrtuar projektligji "Për ratifikimin e protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit", një marrëveshje që parashikon ngritjen në Shqipëri të qendrave të pritjes së emigrantëve të paligjshëm.

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë Taulant Balla u shpreh se Shqipëria në kuadër të këtij protokolli i jep në përdorim të përkohshëm qeverisë italiane një sipërfaqe pasurie shtetërore për ngritjen e strukturave ku do të identifikohen dhe më pas do të akomodohen emigrantët e parregullt që kërkojnë të shkojnë në Itali.

"Ky protokoll mes Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane bazohet pikë së pari në traktatin e miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve tona i nënshkruar në Romë 28 vjet më parë. Vjen në një moment të rëndësishëm jo vetëm sa i përket konsolidimit të partneritetit strategjik dhe marrëdhënieve shumë të ngushta mes Shqipërisë dhe Italisë, por është dhe një shprehje tjetër e solidaritetit që Shqipëria i jep Italisë në kuadër të përballimit të sfidave që Italia ka me flukset migratore që vijnë nga veriu i Afrikës drejt Italisë", u shpreh Balla.

Ministri Balla theksoi se është shumë e rëndësishme të nënvizohet fakti që të gjitha shpenzimet për zbatimin e këtij protokolli i përkasin palës italiane.

Për shkak të tensioneve të fundit në Kuvend, seancat e komisioneve u zhvilluan onlajn, ndërkohë, pas përfundimit të shqyrtimit në komisionet parlamentare, marrëveshja në fjalë do të votohet në seancë plenare të Kuvendit të Shqipërisë.

Ndryshe, më 6 nëntor 2023, mes Shqipërisë dhe Italisë është nënshkruar protokolli i bashkëpunimit për fuqizimin e bashkëpunimit për çështjen e emigracionit, marrëveshje e cila ka shkaktuar reagime në Shqipëri dhe Itali.

Partia opozitare, Partia Demokratike, ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen e firmosur mes kryeministrit Edi Rama me kryeministren e Italisë Giorgia Meloni, pasi sipas saj "ka munguar në mënyrë të plotë transparenca".

BURIMI:TRT Balkan / agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us