RAJONI
2 MINUTA LEXIMI
Kryediplomati shqiptar Hasani në Indi, në fokus marrëdhëniet ekonomike
Në njoftimin nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë thuhet se në fokus të takimit Hasani-Jaishankar ishin thellimi i marrëdhënieve ekonomike Shqipëri-Indi.
Kryediplomati shqiptar Hasani në Indi, në fokus marrëdhëniet ekonomike
Kryediplomati shqiptar Hasani në Indi, në fokus marrëdhëniet ekonomike/ Foto: AA / Others
22 Shkurt 2024

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, po zhvillon një vizitë zyrtare në Indi, ndërkohë është pritur në takim sot nga ministri indian i Punëve të Jashtme, Subrahmanyam Jaishankar.

Në njoftimin nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë thuhet se në fokus të takimit Hasani-Jaishankar ishin thellimi i marrëdhënieve ekonomike Shqipëri-Indi.

"Ministri Hasani vlerësoi marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri-Indi, teksa shprehu gatishmërinë e palës shqiptare për të forcuar dhe avancuar më tej këtë marrëdhënie. Sipas kryediplomatit shqiptar, rihapja e ambasadës së Republikës së Shqipërisë në New Delhi së shpejti, do të krijojë një bazë të fortë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve në fushën e ekonomisë, turizmit dhe jo vetëm", thuhet në njoftim.

Më tej, theksohet se dy ministrat shkëmbyen mendime edhe për zhvillimet në rajonet respektive, duke theksuar se fryma e zgjidhjes së konflikteve me bisedime është kontribut thelbësor për paqen dhe sigurinë rajonale dhe më gjerë.

Ministri Hasani po zhvillon një vizitë treditore në Indi dhe kjo është vizita e parë në 15 vjet e një ministri të Jashtëm të Shqipërisë në Indi.

I ftuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Indisë, Hasani do të marrë pjesë në edicionin të 9-të të "Raisina Dialogue", si dhe do të zhvillojë takime dypalëshe e shumëpalëshe.

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Indisë u vendosën për herë të parë në vitin 1956.

BURIMI:TRT Balkan / agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us