Parlamenti i Izraelit (Knesset) miratoi sot ligjin e ri për ta ndryshuar përbërjen e komisionit përzgjedhës gjyqësor, duke rritur kontrollin e koalicionit të djathtë të kryeministrit Benjamin Netanyahu mbi gjyqësorin.
Projektligji u miratua me 67 vota pro dhe 1 kundër në leximin e tretë dhe të fundit në Knessetin prej 120 vendesh, tha parlamenti në një deklaratë.
Sipas transmetuesit publik KAN, ligjvënësit e opozitës izraelite u tërhoqën nga seanca në shenjë proteste ndaj votimit.
Ligji i ri heq të drejtën e Odës së Avokatëve të Izraelit për të emëruar dy anëtarë të komitetit përzgjedhës gjyqësor prej nëntë anëtarësh, duke ua transferuar këtë autoritet partive politike. Njëri nga dy ulëset do t'i shkojë koalicionit qeverisës dhe tjetri për opozitën.
Komiteti përzgjedhës gjyqësor është organ kyç në përzgjedhjen e gjyqtarëve në të gjitha gjykatat në gjithë Izraelin, përfshirë Gjykatën e Lartë, Gjykatën Qendrore, gjykatat themelore dhe të tjera.
Ligji, megjithatë, do të hyjë në fuqi pas zgjedhjeve të përgjithshme të ardhshme në fund të vitit 2026, përveç nëse ka zgjedhje të parakohshme, raporton korrespondenti i Anadolus.
Kritikët e shohin ligjin e ri si përpjekje të re të qeverisë Netanyahu për ta kontrolluar gjyqësorin, gjë që do të ndikonte gjithashtu në pavarësinë e gjykatave.
Koalicioni qeverisës, megjithatë, pretendon se ky hap ishte vendimtar për një rishikim gjyqësor për të siguruar përfaqësim të gjerë në çështjen e emërimit të gjyqtarëve.
Ligji i ri u miratua mes tensioneve të vazhdueshme midis qeverisë së Netanyahut dhe Odës së Avokatëve mbi hapat e kryeministrit kundër gjyqësorit.
Të martën, Gjykata e Lartë hodhi poshtë kërkesën e Netanyahut për ta shfuqizuar ngrirjen e vendimit të qeverisë së tij për të shkarkuar kreun e agjencisë së sigurisë Shin Bet, Ronen Bar, duke shtuar tensionin midis qeverisë dhe gjyqësorit.
Të dielën, qeveria izraelite tërhoqi besimin nga Prokurorja e Përgjithshme Gali Baharav-Miara, një lëvizje tjetër kundër gjyqësorit nga Netanyahu dhe koalicioni i tij qeverisës.