BOTA
2 minuta leximi
Telefonatë Erdoğan-Zelenskyy: Türkiye e gatshme t’i mbështesë bisedimet e paqes Rusi-Ukrainë
Në një telefonatë, presidenti Erdoğan dhe homologu i tij ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, diskutuan marrëdhëniet dypalëshe, si dhe çështjet rajonale dhe globale.
Telefonatë Erdoğan-Zelenskyy: Türkiye e gatshme t’i mbështesë bisedimet e paqes Rusi-Ukrainë
Telefonatë Erdoğan-Zelenskyy: Türkiye e gatshme t’i mbështesë bisedimet e paqes Rusi-Ukrainë / AA
12 Maj 2025

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, shprehu gatishmërinë e Türkiyes për t’i dhënë mbështetjen e nevojshme në çdo fazë të bisedimeve të paqes midis Rusisë dhe Ukrainës.

Në një telefonatë, presidenti Erdoğan dhe homologu i tij ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, diskutuan marrëdhëniet dypalëshe, si dhe çështjet rajonale dhe globale, tha Presidenca e Türkiyes në X. 

"Gjatë telefonatës, presidenti Erdoğan theksoi rëndësinë e vullnetit për t’i rifilluar bisedimet e drejtpërdrejta midis Rusisë dhe Ukrainës dhe tha se Türkiye është e gatshme të ofrojë mbështetjen e nevojshme në çdo fazë të procesit”, shtoi ajo.

Erdoğan ka thënë se Ankaraja do të ishte e kënaqur t’i priste delegacionet ruse dhe ukrainase në Türkiye për negociata paqeje.

Duke theksuar se një armëpushim gjithëpërfshirës do t’i krijonte kushtet e nevojshme për fillimin e negociatave të paqes, Erdoğan u ka bërë thirrje palëve ndërluftuese të mos e humbasin “dritaren e mundësisë”.

Ndërkaq, Zelenskyy ka shprehur mirënjohje ndaj Erdoğanit për “mbështetjen dhe gatishmërinë e tij për të lehtësuar diplomacinë në nivelin më të lartë”, duke vënë në dukje se takimi në Türkiye mund të jetë një hap i rëndësishëm drejt përfundimit të luftës.

“Është gjithashtu thelbësore që partnerët tanë të sigurojnë monitorimin e armëpushimit”, ka thënë ai, duke përsëritur gatishmërinë e Kievit për negociata të drejtpërdrejta me presidentin rus Vlladimir Putin.

“Unë dhe presidenti Erdoğan ramë dakord të vazhdojmë përpjekjet tona të përbashkëta për ta siguruar paqen”, ka përfunduar Zelenskyy. 

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us