RAJONI
2 minuta leximi
"Kosova ofron vetëm 10 për qind shërbime publike online"
"Në kuadër të agjendës së reformave evropiane, Kosova ka shënuar përparim në zhvillimin e rrjetit 5G si pjesë e agjendës digjitale 2030", tha hulumtuesja në KDI, Violeta Haxholli.
"Kosova ofron vetëm 10 për qind shërbime publike online"
"Kosova ofron vetëm 10 për qind shërbime publike online" / AA
22 Prill 2025

Vetëm 10 për qind e shërbimeve publike në Kosovë jepen online, ka bërë të ditur raporti i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) duke iu referuar Bashkimit Evropian (BE).

Hulumtuesja në KDI, Violeta Haxholli, duke folur për raportin hulumtues në tryezën me temë "Kosova në procesin e Berlinit: Nga zotimet në veprime", tha se në kuadër të agjendës së reformave evropiane, Kosova ka shënuar përparim në zhvillimin e rrjetit 5G si pjesë e agjendës digjitale 2030, mirëpo, sipas saj duhet angazhim më i madh në kuadër të agjendës së gjelbër.

"Kosova e ka miratuar strategjinë për qeverisje elektronike 2023-2027 dhe e ka zgjeruar gamën e shërbimeve në platformën E-Kosova, por, megjithatë sipas BE-së, konsiderohet që numri i shërbimeve publike online mbetet ende i ulët dhe përfaqëson vetëm 10 për qind të totalit të shërbimeve që ofron shteti", theksoi Haxholli.

Ajo tha se nga monitorimi i zbatimit të zotimeve të dala nga Procesi i Berlinit, Kosova shënoi përparim të moderuar edhe në zbatimin e Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal të Procesit të Berlinit.

Haxholli shtoi se vendi ka bërë përparim edhe në miratimin e legjislacionit në kuadër të obligimeve të marra në këtë proces. Pjesë e tryezës së diskutimit ishte edhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila tha se Procesi i Berlinit është kyç në bashkëpunimin rajonal dhe "nuk kemi parë një alternativë tjetër më të mirë për bashkëpunim rajonal".

"Kosova është një ndër vendet më aktive dhe proaktive në Procesin e Berlinit dhe këtë e kemi parë edhe me ratifikimin shumë të shpejtë të të gjitha marrëveshjeve dhe së fundmi edhe me ratifikimin e njëanshëm të marrëveshjes për lëvizje të lirë me letërnjoftime me Bosnjë e Hercegovinën (BeH) edhe pse BeH ende nuk e ka bërë këtë dhe presim që ta bëjë këtë", theksoi Rizvanolli.

Përveç Qeverisë së Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Bosnjë e Hercegovinës dhe 10 vendeve partnere perëndimore, në takimet e Procesit të Berlinit marrin pjesë edhe institucionet e Bashkimit Evropian, institucionet financiare ndërkombëtare dhe organizata rajonale.

Përveç përmirësimit të bashkëpunimit rajonal, synim tjetër i Procesit të Berlinit është rritja e bashkëpunimit të Ballkanit me BE-në, në mënyrë që rajoni të ketë standarde evropiane, dhe që banorët e Ballkanit të shohin rezultate konkrete.

Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us