Ministri turk i Transportit dhe i Infrastrukturës, Abdulkadir Uraloğlu, deklaroi se inspektimet e para pas tërmetit me magnitudë 6,2 që goditi Istanbulin dhe dy tërmeteve të tjera pasuese, tregojnë se nuk ka asnjë dëmtim apo situatë e pafavorshme në rrugët automobilistike, aeroportet, hekurudhat dhe metrotë e vendit.
Në një postim në rrjetet sociale, ministri Uraloğlu shprehu solidaritetin e tij me të gjithë qytetarët e prekur nga tërmeti.
"Gjatë inspektimeve të para nuk është konstatuar asnjë dëmtim apo situatë e pafavorshme në rrugët tona, aeroportet, trenat dhe metrotë. Ekipet tona janë në terren dhe vazhdojnë kontrollet dhe vlerësimet për të siguruar që gjithçka është në rregull. Zoti e ruajttë vendin dhe popullin tonë nga çdo fatkeqësi", ka thënë ministri turk.
Ndryshe, një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6,2 ballë ndodhi me epiqendër në ujërat e Detit Marmara pranë rrethit Silivri të Istanbulit, pasuar nga dy tërmete të tjera 4,4 dhe 4,9 ballë në rrethin Büyüçekmece, njoftoi Drejtoria e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD).