BIZNES & TEKNOLOGJI
3 minuta leximi
Fitimet e kompanisë "Tesla" ranë me 71 për qind në tremujorin e parë
Të ardhurat e kompanisë u ulën me 9 për qind në 19.3 miliardë dollarë në tremujorin e parë të vitit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Fitimet e kompanisë "Tesla" ranë me 71 për qind në tremujorin e parë
Fitimet e kompanisë "Tesla" ranë me 71 për qind në tremujorin e parë / Reuters
një ditë më parë

Fitimet neto të kompanisë "Tesla" ranë me 71 për qind në tremujorin e parë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. "Tesla" njoftoi bilancin e saj për periudhën janar-mars 2025.

Sipas kësaj, të ardhurat e kompanisë u ulën me 9 për qind në 19.3 miliardë dollarë në tremujorin e parë të vitit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. "Tesla" kishte të ardhura prej 21.3 miliardë dollarësh në tremujorin e parë të 2024.

Fitimet neto të prodhuesit të automjeteve elektrike ranë me 71 për qind në 409 milionë dollarë në tremujorin e parë të vitit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Fitimet neto të "Tesla"-s u regjistruan në 1.39 miliardë dollarë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Fitimet për aksion të kompanisë, që ishin 41 cent në tremujorin e parë të 2024, ranë në 12 cent në të njëjtën periudhë të këtij viti.

Rënia e prodhimit dhe dërgesës

"Tesla" prodhoi 362.615 automjete globalisht në tremujorin e parë të 2025 dhe dorëzoi 336.681 automjete.

Prodhimi i automjeteve të kompanisë ra me 16.3 për qind në bazë vjetore gjatë kësaj periudhe ndërsa numri i automjeteve të dorëzuara u ul me rreth 13 për qind.

"Tesla" në një deklaratë tha se pasiguria në tregjet e automjeteve dhe energjisë vazhdon të rritet pasi politika tregtare që po zhvillohet me shpejtësi ndikon negativisht në zinxhirin global të furnizimit dhe strukturën e kostos së "Tesla"-s dhe markave të ngjashme.

Lëvizjet politike të Muskut e bënë "Teslën" në shënjestër të protestave

Marka, në pronësi të miliarderit amerikan Elon Musk, iu nënshtrua protestave dhe bojkotimeve për shkak të veprimeve politike të Muskut, i cili mori rol aktiv në administratën e presidentit amerikan, Donald Trump.

Musk, i cili mbështeti Trumpin gjatë fushatës zgjedhore, u emërua si kreu i Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë (DOGE) pasi Trump u rizgjodh president.

Hapat e uljes së kostove të ndërmarra nga DOGE, për të cilën është përgjegjës Musk, dhe pushimet nga puna të mijëra punonjësve federalë kanë qenë temë diskutimi.

Përpara dyqaneve të automjeteve "Tesla", në pronësi të Muskut u mbajtën protesta në pjesë të ndryshme të SHBA-së ndërsa pati edhe arrestime gjatë protestave.

Trump bleu një automjet "Tesla" për të treguar mbështetjen e tij për Muskun, të cilin e emëroi si këshilltar të tij të lartë.

Aksionet e "Tesla"-s kanë rënë që nga fillimi i vitit

Pasi Trump fitoi zgjedhjet presidenciale në SHBA më 5 nëntor 2024, popullariteti i "Tesla"-s ra për shkak të veprimeve politike të pronarit të kompanisë, Elon Musk.

Aksionet e "Tesla"-s, të cilat kanë humbur shumicën e fitimeve që arritën pas fitores së Trumpit në zgjedhje, kanë humbur 41 për qind të vlerës së tyre që nga fillimi i vitit.

BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us