Rreth 90 mijë njerëz protestuan kundër sulmeve izraelite ndaj Palestinës në Urën e Portit në Sydeny, Uellsi i Ri Jugor.
Sipas Korporatës Australiane të Transmetimeve (ABC), australianët që mbështesin Palestinën u mblodhën në Urën e Portit të Sydneyit pavarësisht motit me shi.
Protestuesit theksuan nevojën që Izraeli të ndalojë sulmet e tij dhe i bënë thirrje qeverisë australiane të njohë shtetin e Palestinës. Një protestues tha se ai, si baba, ishte thellësisht i prekur nga fëmijët që luftojnë me urinë në Gaza.
Një infermiere, duke kujtuar vrasjen e kolegëve të saj në Palestinë, tha se spitalet dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor nuk duhet të jenë në shënjestër. Policia shtetërore raportoi se rreth 90 mijë njerëz morën pjesë në protestë.
Kundër krizës humanitare në Gaza u protestua gjithashtu edhe në qytetet Melbourne dhe Adelaide.
Shkatërrimi dhe humbja e jetëve në Gaza, që vijnë si pasojë e sulmeve të vazhdueshme të Izraelit që nga 7 tetori 2023, po rritet çdo ditë. Bombardimet intensive të Izraelit e kanë shtrënguar më tej bllokadën, duke e bërë pothuajse të pamundur për civilët të kenë akses në nevojat themelore si ushqimi, uji dhe ilaçet.
Pavarësisht paralajmërimeve nga Kombet e Bashkuara dhe institucionet ligjore ndërkombëtare, sulmet e pamëshirshme të Izraelit kanë vrarë të paktën 60.430 palestinezë në Gaza, kryesisht fëmijë dhe gra dhe 148.722 të plagosur.