Mijëra palestinezë dolën të dielën në rrugët e Ramallahut për të protestuar kundër ofensivës izraelite në Gaza dhe për të shprehur solidaritet me të burgosurit palestinezë në burgjet izraelite.
Protestuesit mbanin pankarta që dënonin rrethimin dhe urinë në Gaza si dhe heshtjen e bashkësisë ndërkombëtare.
Ish-e burgosura Iman Nafie tha për Anadolu se palestinezët duhet të bashkohen kundër agresionit dhe se heshtja arabe dhe ndërkombëtare për Gazën duhet të marrë fund. Ajo theksoi se njerëzit po vdesin nga uria dhe se dënimet me fjalë nuk mjaftojnë, duke bërë thirrje për veprime konkrete.
Marshi u mbështet edhe nga një grevë tregtare dyorëshe, gjatë së cilës dyqanet në qendër të qytetit ishin të mbyllura në shenjë solidariteti.
Demonstrata masive dhe marshime u mbajtën njëkohësisht në Ramallah, Nablus dhe Hebron, si pjesë e “Ditës Ndërkombëtare të Solidaritetit me Gazën dhe të Burgosurit”, të organizuar nga shoqëria civile dhe institucione zyrtare.
Një ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë së Gazës njoftoi se edhe shtatë palestinezë, përfshirë një fëmijë, kanë vdekur nga uria, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve nga kequshqyerja që prej 7 tetorit 2023 në 169, prej të cilëve 93 janë fëmijë.
Ministria shtoi se 39 palestinezë janë vrarë dhe 849 janë plagosur gjatë përpjekjeve për të arritur ndihma humanitare, duke e çuar në 1.422 numrin e të vrarëve që nga 27 maji, kur nisi punën Fondacioni për Ndihmë Humanitare në Gaza (GHF), dhe mbi 10.067 të plagosur.
Duke injoruar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka ndërmarrë një ofensivë brutale në Gaza që prej 7 tetorit 2023, në të cilën janë vrarë mbi 60.400 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë. Bombardimet e pamëshirshme kanë shkatërruar enklavën dhe kanë rritur rrezikun e urisë në shkallë të gjerë.
Gjykata Penale Ndërkombëtare në nëntor lëshoi urdhërarreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli po përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën ndaj enklavës.