RAJONI
2 minuta leximi
Grekët protestojnë kundër dërgesës ushtarake drejt Izraelit nga Porti i Pireut
“Ne nuk i njollosim duart tona me gjakun e njerëzve të pafajshëm”, thotë kryetari i sindikatës së punëtorëve të portit grek.
Grekët protestojnë kundër dërgesës ushtarake drejt Izraelit nga Porti i Pireut
Grekët protestojnë kundër dërgesës ushtarake drejt Izraelit nga Porti i Pireut / Reuters
17 Korrik 2025

Qindra qytetarë grekë u mblodhën të mërkurën në Portin e Pireut, një ndër më të mëdhenjtë në Evropë, për të bllokuar një ngarkesë me çelik ushtarak që po dërgohej drejt Izraelit.

Në protestë morën pjesë punëtorë të portit, përfaqësues të organizatave progresive propalestineze, shoqata dhe simpatizantë të partive të majta. Ata mbanin flamuj palestinezë dhe pankarta në mbështetje të kauzës palestineze dhe në dënim të luftës gjenocidale të Izraelit në Gaza.

Duke folur për Anadolu, Markos Bekris, kryetari i ENEDEP, sindikata e punëtorëve të kontejnerëve në port, tha se aksioni kishte për qëllim të ndalonte transferimin e pesë kontejnerëve me çelik ushtarak që kishin ardhur nga India dhe që do të ngarkoheshin në një anije tjetër me destinacion Izraelin.

“Ne absolutisht nuk duam që vendi ynë dhe porti ynë të përfshihen në këtë luftë apo në transportimin e pajisjeve ushtarake që do të përdoren në të. Nuk duam që ky çelik të përdoret kundër popullit palestinez, që po përpiqet të krijojë shtetin e vet, dhe aq më pak të çojë në vrasjen e grave dhe fëmijëve. Ne nuk i njollosim duart me gjakun e njerëzve të pafajshëm”, tha ai.

Edhe një prej protestueseve, Katherina, deklaroi se ishte aty, si qindra të tjerë, për të shprehur solidaritet të fortë me palestinezët.

Duke theksuar se ngarkesa do të përdoret për të vazhduar gjenocidin ndaj palestinezëve në Gaza, ajo akuzoi Bashkimin Evropian dhe Greqinë për bashkëpërgjegjësi.

Ushtria izraelite, duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ka ndjekur një ofensivë brutale ndaj Gazës që nga tetori 2023, duke vrarë afro 58.500 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us