Qeveria izraelite planifikon të ndërtojë 2.339 njësi të reja vendbanimesh ilegale në Bregun Perëndimor të pushtuar, zbulon një raport i ri të shtunën.
Plani izraelit përfshin ndërtimin e 1.352 njësive të vendbanimeve në Qalqilya, në pjesën veriore të Bregut Perëndimor, dhe 430 njësive të tjera në dy vendbanime ekzistuese në verilindje të Ramallahut dhe veriperëndim të Jerusalemit, sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Organizatës për Çlirimin e Palestinës (OÇP) për Mbrojtjen e Tokës.
Raporti shton se 407 njësi të tjera vendbanimesh planifikohet të ndërtohen në Bethlehem, në jug të Bregut Perëndimor, dhe 150 të tjera në perëndim të Ramallahut.
Zyra paralajmëroi se plani izraelit synon të krijojë vazhdueshmëri gjeografike mes vendbanimeve vetëm për hebrenjtë në Qalqilya, gjë që do të çonte në izolimin e mëtejshëm të fshatrave palestineze në geto të rrethuara nga vendbanimet.
Raporti thekson një “rol plotësues” mes ministrit izraelit të Financave nga krahu i djathtë, Bezalel Smotrich, i cili shtyn për zgjerimin e vendbanimeve, dhe ministrit të Mbrojtjes, Israel Katz, i cili ofron mbrojtje për kolonët ilegalë dhe sulmet e tyre.
Të enjten, ministri ekstremist izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, shpalli formimin e një njësie policore të përbërë nga kolonë ilegalë, një veprim që shihet si përpjekje për të thelluar aneksimin de facto të Izraelit mbi Bregun Perëndimor të pushtuar.
Sipas shifrave palestineze, në Bregun Perëndimor të pushtuar ka rreth 770.000 kolonë ilegalë, të shpërndarë në 180 vendbanime ilegale dhe 256 poste të paligjshme.
Bashkësia ndërkombëtare, përfshirë OKB-në, i konsideron vendbanimet izraelite si të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare. OKB ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se zgjerimi i vazhdueshëm i vendbanimeve rrezikon realizueshmërinë e zgjidhjes me dy shtete, një kornizë që shihet si kyçe për zgjidhjen e konfliktit dhjetëravjeçar izraelito-palestinez.
Autoritetet palestineze kanë dokumentuar të paktën 2.153 sulme të kolonëve ilegalë në territoret e pushtuara vetëm në gjysmën e parë të këtij viti, që kanë rezultuar në vrasjen e katër palestinezëve.
Që nga fillimi i luftës gjenocidale të Izraelit në Rripin e Gazës, të paktën 998 palestinezë janë vrarë dhe mbi 7.000 janë plagosur në Bregun Perëndimor nga forcat izraelite dhe kolonët ilegalë, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.
Në një opinion historik korrikun e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli të paligjshme pushtimin izraelit të territoreve palestineze dhe kërkoi evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.