Sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 dhe bllokada e ashpër që ka vendosur në këtë rajon kanë shkaktuar një krizë urie që po lë pasoja shkatërruese, veçanërisht te fëmijët.
Në Gaza, ku qasja në ushqim, ujë, ilaçe dhe materiale mjekësore është bërë pothuajse e pamundur, çdo ditë humb jetën një fëmijë tjetër për shkak të urisë.
Banorët e Gazës që përpiqen të mbijetojnë nën bllokadë, përballen me dëshpërim të thellë si për shkak të urisë sistematike të imponuar nga Izraeli, ashtu edhe për shkak të heshtjes së opinionit ndërkombëtar.
Një fotografi e publikuar nga Anadolu që tregonte trupin e dobësuar deri në kockë të fëmijës palestinez Muhamed Zekeriya Ejub el-Matuk shkaktoi reagime të mëdha në opinionin ndërkombëtar.
Deri tani, 147 persona, përfshirë 88 fëmijë, kanë humbur jetën në Gaza për shkak të urisë.
Disa nga historitë e këtyre fëmijëve të dokumentuara nga AA janë si më poshtë:
– “Dikur ishte si një lule”
Vdekja e 10-vjeçares Nur Eshref Abu Sela, e cila ndërroi jetë nga kequshqyerja në qytetin Deir el-Balah në pjesën qendrore të Gazës, tronditi familjen dhe gjithë komunitetin.
Xhaxhai i saj, Gazi Abu Sela, i cili foli nga Spitali i Dëshmorëve të Aksasë, tha: “Nur ishte si një lule, u kthye në skelet. Pse? Për shkak të urisë. Për shkak të bllokadës që na e ka imponuar Izraeli”.
Ai tregoi për trupin e rrëgjuar të mbesës dhe u shpreh i indinjuar me opinionin ndërkombëtar: “Nëse kjo do të ndodhte në ndonjë vend perëndimor, do të bëhej nami. Por banorët e Gazës janë lënë në mëshirë të fatit”.
– Tragjedia e foshnjës 3-muajshe Jahja
Një tjetër viktimë e urisë ishte foshnja 3-muajshe Jahja Nexhar.
Nëna e tij, Nida Nexhar, tregoi në Spitalin Nasër në Khan Younis se foshnja u ushqye për ditë me radhë vetëm me ujë dhe anason, sepse nuk kishin mundësi të siguronin qumësht për bebe.
“Fëmija im s’kishte konsumuar asgjë që në mëngjes. Ç’të them... Allahu më mjafton dhe Ai është mbrojtësi më i mirë”, tha ajo me lot në sy, duke dënuar indiferencën ndaj vuajtjes së fëmijëve në Gaza.
Ndërkaq, xhaxhai i Jahjas, Anan Nexhar, shtoi: “Kjo ndodhi sepse ushqimet dhe qumështi për foshnja nuk lejohen të futen në Gaza. U bëjmë thirrje të gjitha vendeve dhe njerëzve me ndërgjegje që të shohin gjendjen e fëmijëve këtu”.
– “Nuk kishim as një kuti qumësht, më vdiq djali para syve”
Ethem es-Safedi, një baba që humbi foshnjën 40-ditëshe për shkak të kequshqyerjes, tregoi dhimbjen e tij: “Kërkuam pak qumësht për foshnjat tona. Foshnja jonë humbi jetën sepse nuk kishim as një kuti ushqimi. Çdo foshnjë, çdo fëmijë është në rrezik vdekjeje”.
Ai shtoi se shumë persona që shkojnë për ndihma, “kthehen në qefin”.
“Çdo ditë në spitale vijnë 100 deri 150 dëshmorë. Mjaft më me këtë mizori”, ka thënë ai.
Besme, nëna e Abdullahit 4,5-vjeçar dhe Habibes 5-muajshe, tha se po i sheh fëmijët e saj duke vdekur ngadalë. “Vetëm një fëmijë më ka mbetur i shëndetshëm. Nëse më vdesin dy të tjerët, do të vdes edhe unë”, është shprehur ajo.
Ajo tregoi se kockat e fëmijëve janë tretur dhe se mëlçia u është rritur, duke e përshkruar dëshpërimin e saj të thellë.
Nënat në Gaza, që përballen çdo ditë me urinë e fëmijëve të tyre, u kanë bërë thirrje ndërgjegjes së botës.
“Fëmijët tanë zgjohen duke kërkuar bukë. Nuk flenë gjithë natën nga uria. Nuk duam më shkolla, duam vetëm t’u mbushim barkun”, kanë thënë ato.
Nëna nga Gaza Henadi Ubejd tha: “Prindërit ose vriten, ose plagosen, ose janë të papunë. Nuk mund të plotësojnë asnjë nevojë të fëmijëve. Nuk është më prioritet arsimi, por mbijetesa”.
Ndërkaq, Lina Zurbetli rrëfeu: “Fëmija im qau gjithë natën nga uria. E vura në gjumë me një copë ushqimi që më dha komshiu. Kërkojnë bukë pa pushim. Unë s’kam më asgjë, ndaj bredh rrugëve çdo mëngjes me shpresë se do të gjej diçka për të ngrënë”.
Përkundër faktit që qindra tonë ndihma ushqimore qëndronin të bllokuara përtej kufirit në Rafah për shkak të bllokadës izraelite, nënat në Gaza prisnin me orë të tëra në radhë për një racion ushqimi dhe i luteshin botës: “Vetëm na ushqeni fëmijët. Nuk kërkojmë më asgjë.”
– OKB-ja: Izraeli po lë një milion fëmijë të uritur
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e ka përshkruar situatën në Gaza si një katastrofë humanitare. “Uria po troket në çdo derë në Gaza. Sistemi i ndihmës është pranë kolapsit, njerëzit po luftojnë për të mbijetuar”,
Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA, ka thënë se Izraeli po i lë sistematikisht të uritur një milion fëmijë në Gaza dhe deklaroi: “Nuk është e pranueshme që civilët, veçanërisht fëmijët, të mbahen në uri. Bllokada duhet të hiqet dhe ndihmat humanitare të lejohen të hyjnë”, ka thënë organizata.