BOTA
2 minuta leximi
Bisedimet me delegacionin amerikan fillojnë në mënyrë “konstruktive”, thotë zyrtari ukrainas
“Diskutimet fokusohen në arritjen e paqes së drejtë dhe të qëndrueshme”, thotë shefi i Zyrës së Presidentit të Ukrainës.
Bisedimet me delegacionin amerikan fillojnë në mënyrë “konstruktive”, thotë zyrtari ukrainas
Bisedimet me delegacionin amerikan fillojnë në mënyrë “konstruktive”, thotë zyrtari ukrainas / AA
11 Mars 2025

Bisedimet midis delegacioneve ukrainase dhe amerikane në Arabinë Saudite filluan "në mënyrë konstruktive", me diskutime të përqendruara në sigurimin e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme, tha të martën një zyrtar i lartë ukrainas.

“Takimi me ekipin amerikan filloi në mënyrë shumë konstruktive, ne po punojmë për të sjellë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, shkroi në Telegram Andriy Yermak, kreu i Zyrës së Presidentit të Ukrainës.

"Falë udhëheqjes së ShBA-së dhe mbështetjes evropiane, ne ukrainasit më në fund mund ta arrijmë paqen. Por, ne nuk mund të lejojmë që Federata Ruse t'i shpëtojë përgjegjësisë," tha ai.

Duke folur me një gazetar në Jeddah, Yermak theksoi gjithashtu rëndësinë e garancive të sigurisë për ta parandaluar agresionin e ardhshëm.

“Garancat e sigurisë, është shumë e rëndësishme sepse ne duam që ky agresion të mos përsëritet më në të ardhmen. Sigurisht, është shumë e rëndësishme. Por, tani mendojmë se është e nevojshme të diskutohet më e rëndësishmja – si të fillohet ky proces. Dhe ne jemi shumë të hapur dhe duam të kemi një bisedë shumë konstruktive, të thellë, miqësore me partnerët tanë amerikanë”, tha ai.

Delegacioni ukrainas përfshin Yermak, Ministrin e Jashtëm Andrii Sybiha, Ministrin e Mbrojtjes Rustem Umerov dhe Zëvendësshefin e Zyrës së Presidentit Pavlo Palisa, sipas Ministrisë së Jashtme të Ukrainës. 

Nga ana amerikane, në bisedime marrin pjesë Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Mike Waltz.

Stephen Witkoff, i dërguari special i presidentit amerikan për Lindjen e Mesme dhe Keith Kellogg, i dërguari special i Trumpit për Ukrainën dhe Rusinë, të cilët morën pjesë në negociatat e mëparshme në Riad, nuk janë të pranishëm.


BURIMI:AA
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us