Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, u ka shprehur ngushëllime familjes së të riut i cili humbi jetën në Lipjan, duke thënë se askush nuk është mbi ligjin, dhe kushdo që rezulton fajtor do të përballet me drejtësinë dhe do ta marrë dënimin e merituar.
Sveçla ka shkruar në Facebook se është thellësisht i prekur nga lajmi për vdekjen e 27-vjeçarit, Agon Fejzullahu, i cili vdiq në rrethana të dyshimta në Lipjan, pak pasi u arrestua nga Policia në orët e para të së hënës.
Ai ka shkruar që sapo është informuar për ngjarjen, ka kërkuar angazhim urgjent dhe profesional nga Inspektorati Policor i Kosovës, si dhe bashkëpunim të plotë të Policisë së Kosovës gjatë këtij hetimi.
“Në kuadër të kësaj, hetimet tashmë janë duke u zhvilluar me intensitet maksimal. Bashkëpunimi mes Policisë së Kosovës, Inspektoratit Policor, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorisë është kyç për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë. Familjarëve të të ndjerit u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta. Pres që sa më shpejt, të zbardhet e vërteta dhe të gjitha rrethanat si dhe familjarët dhe opinioni publik të njoftohen me të gjitha të gjeturat dhe epilogun e këtij rasti. Askush nuk është mbi ligjin, dhe kushdo që rezulton fajtor do të përballet me drejtësinë dhe do ta marrë dënimin e merituar.
Sipas Sveçlës, Policia e Kosovës, falë profesionalizmit, transparencës dhe përkushtimit në shërbim të qytetarëve, vazhdon të jetë institucioni më i besuar dhe më kredibil në vend.
“Ky besim duhet ruajtur me çdo kusht dhe pa kursyer askënd pasi besimi qytetarë është jo vetëm vlerë por domosdoshmëri për punën e suksesshme të Policisë së Kosovës”, ka shkruar ai.
Ndryshe, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, mbrëmë janë ftuar në IPK për intervistim si të dyshuar pesë zyrtarë policorë (një rreshter dhe katër zyrtarë) lidhur me ndërhyrjen policore.