Ditët e Ramazanit në Türkiye kanë një aromë të veçantë. Me një traditë mbi 500-vjeçare, nëpër dyert e furrave të bukës aroma e papërshkrueshme e piteve lajmëron afrimin e orës së iftarit.
Banorët, besnikë të shijes dhe pamjes së artë të pites, sapo ndiejnë aromën e pites që del nga furra, zënë vend në radhë dhe nuk ngurrojnë të presin goxha kohë për ta pasur atë të ngrohtë nëpër sofrat e tyre.
Traditë qindravjeçare
Për turqit, pitja nuk është thjesht bukë. Është traditë, histori, art. Mënyra se si brumi zihet, zgjedhja e kujdesshme e miellit, furra e drurit, pjekja— çdo hap e bën piten e Ramazanit unike.

Pitja: Simboli i Ramazanit në Türkiye
Tradita e pites i ka rrënjët e thella. Sipas Evliya Çelebiut, kjo shije ka që në shekullin e 15-të që vazhdon të jetë simboli i tryezës turke.
Në Perandorinë Osmane, muaji i Ramazanit nuk ishte vetëm një muaj adhurimi dhe solidariteti, por edhe periudha më e gjallë e kulturës së ushqimit. Prandaj sot tradita e pites është e gdhendur në çdo shtëpi të Türkiyes.
Delikatesë detajesh
Njëjtë, në një qoshe të Çengelkoyt, një ndër lagjet më piktoreske të Istanbulit, një furrë e moçme buke përgatit pitet e Ramazanit prej 75 vitesh.

Pitja: Simboli i Ramazanit në Türkiye
Furrtari rrëfen se kjo furrë është ndërtuar nga të parët e tij pa lindur ai akoma, dhe se kjo traditë, kjo histori, ka një rëndësi të veçantë për popullin turk.
Sipas tij, veçoria e saj fillon që me zgjedhjen e kujdesshme të miellit.
“1-2 ose 3 muaj para Ramazanit, furnizohemi herët me miell për pitet e Ramazanit”, tregoi furrtari Satilmis Avci për TRT Balkan.
Përgatitja e brumit gjithashtu kalon nëpër etapa të rëndësishme, ku konsistenca fillimisht ngjeshet në makineri për rreth 1 orë.
“Pas kësaj, e kalojmë në një enë për brumin, ku pushon pak. Më pas, peshohet dhe, pasi i ndajmë, vendosen në radhë në tavolinë dhe lihen përsëri për të pushuar”, tha furrtari, duke dhënë edhe detajet e fundit që e çojnë drejt pjekjes. “Pasi brumi ka ardhur, e marrim poshtë, i japim formë (e hapim) dhe pastaj e vendosim në furrë(të piqet).”
Ai na tregoi se kërkohet të paktën 3-4 orë që pitet të arrijnë në tezgë dhe të jenë gati për konsumatorët.
Avci u shpreh se puna e tyre zgjaste me orë të tëra dhe nuk ishte e lehtë, pasi gjatë ditës ato përgatisnin rreth 1.800-2.000 pite. Megjithatë, lodhja e tyre shpërblehej nga falënderimet e blerësve.
Solidariteti

Pitja: Simboli i Ramazanit në Türkiye
Ndërkaq, në murin e përparmë të furrës së bukës qëndron një tabelë e varur. Tabela ka të qëndisur mbishkrimin "Bukë në shportë" dhe ka një detyrë të rëndësishme - që askush të mos mbetet pa bukë.
Në këtë shportë, ata që duan, përveç bukës së tyre paguajnë edhe bukën për dikë tjetër në nevojë, si dhe vendosin një shenjë në tabelë që numri i bukëve të dhuruara të mos harrohet.
Kështu që nevojtarët mund ta marrin bukën dhe ta fshijnë shenjën.
Një traditë kjo e mbetur që nga periudha e Perandorisë Osmane, qëndron si shportë e shpresës dhe solidaritetit pikërisht në këtë muaj të shenjtë. Kjo metodë e bamirësisë aplikohet në çdo furrë buke, si reflektim i bukur i mëshirës dhe solidaritetit njerëzor.
Shekujt kanë kaluar, por thelbi mbetet i njëjtë. Çdo vit gjatë Ramazanit, pitja shoqëron tavolinat e çdo familjeje në Türkiye.
Me një vend të veçantë në kuzhinën turke, nuk ka sesi pitja të mos gjejë versionet e saj të pranishme edhe në kuzhinat e Ballkanit. Mbase kjo është magjia e pites.