Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, kritikoi Ukrainën dhe aleatët perëndimorë për, siç tha ai, mosvlerësimin e kontributit të Polonisë në përpjekjet e luftës, duke paralajmëruar se Varshava nuk do të pranojë të anashkalohet në vendimmarrjet ndërkombëtare.
Duda tha se si zyrtarët ukrainas ashtu edhe ata perëndimorë kanë filluar të trajtojnë infrastrukturën logjistike kyçe të Polonisë, veçanërisht aeroportin e Rzeszow-it dhe autostradat kombëtare sikur të ishin të tyret, sipas një raporti të agjencisë polake të lajmeve Onet, të mërkurën.
“Për shembull, besoj se si ukrainasit ashtu edhe aleatët tanë thjesht mendojnë se aeroporti i Rzeszow-it dhe autostradat tona janë të tyret, më falni, sikur të ishin të tyret. Epo, nuk janë të tyret, janë tonat,” tha Duda.
“Nëse dikujt nuk i pëlqen diçka, ne e mbyllim atë dhe themi lamtumirë. Po, jemi duke e rinovuar. E mbyllim aeroportin e Rzeszow-it dhe e dërgojmë ndihmën për Ukrainën nëpërmjet detit, ajrit, nuk e di, me parashutë. Gjeni një zgjidhje nëse mendoni se nuk keni nevojë për ne.”
Duda argumentoi se mbështetja e gjerë e Polonisë për Ukrainën që nga fillimi i luftës me Rusinë shpesh është nënvlerësuar ose injoruar.
Ai paralajmëroi se Polonia mund të përdorë rolin e saj strategjik në logjistikën ushtarake si mjet ndikimi në negociatat e ardhshme.
“Besoj se ka pasur raste kur mund të kishim bërë më të qartë se nuk mund të anashkalohemi apo të injorohemi. Dhe nuk e bëmë këtë. Kjo ishte një gabim,” tha ai, duke shtuar se Polonia ka të drejtë të presë vlerësim dhe respekt nga aleatët e saj.
Ai tha se çështja nuk kishte të bënte vetëm me Kievin, por edhe me kryeqytetet kryesore perëndimore.
“Kjo nuk ka të bëjë me bisedimet me Ukrainën. Duhet të diskutojmë këtë me aleatët tanë: Gjermaninë, amerikanët,” theksoi ai.
Duda përmendi samitin e NATO-s në Vilnius më 2023, ku, sipas tij, bllokoi një pjesë të përfundimeve të samitit që nuk përmendnin Poloninë.
“Mendova se ishte një skandal,” tha Duda, duke shtuar se u desh më shumë se një vit për të ndryshuar dokumentin.
Duda gjithashtu mbrojti vlerën politike të marrëdhënieve të tij personale me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, duke thënë se ato kanë sjellë “përfitime të caktuara politike. Megjithatë, ai përsëriti se Polonia duhet të ketë një qëndrim më të vendosur për të siguruar që interesat e saj kombëtare të mos anashkalohen në arkitekturën e sigurisë që po formësohet përreth luftës në Ukrainë.