Raundi i tretë i negociatave indirekte midis Iranit dhe ShBA-së ka filluar zyrtarisht sot në Oman, raportoi televizioni shtetëror iranian.
Sipas raportimit, të dërguarit nga të dyja palët po zhvillojnë diskutime nëpërmjet ndërmjetësve, duke u përqendruar në uljen e tensioneve dhe adresimin e mosmarrëveshjeve të zgjatura, veçanërisht mbi programin bërthamor të Iranit dhe heqjen e sanksioneve të ShBA-së ndaj Teheranit.
Presidenti i ShBA-së Donald Trump kohët e fundit kërcënoi Iranin me bombardime dhe me më shumë tarifa nëse nuk do arrinte një marrëveshje me ShBA-në mbi programin e tij bërthamor, gjë që shkaktoi reagime të ashpra nga Teherani.
ShBA-ja dhe Izraeli akuzojnë Iranin për zhvillimin e një arme bërthamore, ndërsa Teherani e mohon këtë.
Irani refuzoi të angazhohej në bisedime të drejtpërdrejta me ShBA-në, por pranoi të zhvillonte bisedime indirekte me ndërmjetësimin e Omanit pas një shkëmbimi letrash kohëve të fundit midis dy palëve.