Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë në Futboll, Sylvinho, ka mbajtur konferencë për mediat mbi përgatitjet dhe listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet e kualifikueseve të Botërorit 2026 në qershor, ndaj Serbisë dhe Letonisë.
Sylvinho deklaroi se dy ndeshjet e radhës janë ndeshje të vështira, por shtoi se do të duhet të punojnë mirë për të dyja sfidat.
"Janë ndeshje të dyja të vështira, por do të duhet të punojmë mirë për të dyja sfidat. Mesazhi për lojtarët është që unë kam nevojë për 27 prej tyre dhe duhet të fokusohemi te puna për këto dy ndeshje, specifikisht te ndeshja e parë që e kuptoj që është një ndeshje pak më specifike, më e veçantë. E njoh historinë, por ne duhet të fokusohemi te loja jonë, tek futbolli që dimë të bëjmë", u shpreh Sylvinho.
Trajneri Sylvinho ka bërë publike listën me 27 lojtarët e ftuar për këto dy përballje, ku portierë janë grumbulluar: Thomas Strakosha, Elhan Kastrati, Alen Sherri, Mario Dajsinani.
Në mbrojtje janë grumbulluar: Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Mario Mitaj, Naser Aliji, Marash Kumbulla, Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Adrian Bajrami.
Mesfushorë janë grumbulluar: Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Kristjan Asllani, Qazim Laçi, Adrion Pajaziti, Nedim Bajrami, Medon Berisha, Arbër Hoxha dhe sulmues: Ernest Muçi, Jasir Asani, Armando Broja, Myrto Uzuni, Rey Manaj, Mirlind Daku.
Në kuadër të ndeshjeve kualifikueseve të Kupës së Botës 2026, Shqipëria është në grupin K, së bashku me Anglinë, Serbinë, Letoninë dhe Andorrën.
Ndeshjet e radhës të Kombëtares së Shqipërisë në kuadër të kësaj faze janë më 7 qershor ndaj Serbisë në stadiumin "Arena Kombëtare" në Tiranë dhe më 10 qershor ndaj Letonisë në stadiumin "Skonto Stadions" në Riga.