Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy shprehu mbështetje për thirrjen e presidentit të ShBA-së Donald Trump për një armëpushim të plotë dhe pa kushte, duke thënë se është i përgatitur për bisedime të drejtpërdrejta me presidentin rus Vlladimir Putin gjatë takimit të planifikuar në Istanbul të enjten.
“E mbështeta presidentin Trump me idenë e bisedimeve të drejtpërdrejta me Putinin. E kam shprehur hapur gatishmërinë time për t’u takuar. Do të jem në Türkiye. Shpresoj që rusët të mos i shmangen takimit”, tha Zelenskyy në X.
Ai tha gjithashtu se Ukraina është gati të ruajë “heshtjen” në anën e saj të vijës së frontit në përputhje me thirrjen për armëpushim.
“Dhe sigurisht, të gjithë ne në Ukrainë do ta vlerësonim nëse presidenti (Donald) Trump do të mund të ishte atje me ne në këtë takim në Türkiye. Kjo është ideja e duhur. Mund të ndryshojmë shumë”, shtoi ai, duke lavdëruar rolin e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan si organizator i mundshëm i “takimit të nivelit më të lartë”.
Komentet e Zelenskyyt erdhën pasi Trump tha në një konferencë për shtyp se “takimi i së enjtes me Rusinë dhe Ukrainën është shumë i rëndësishëm”, duke shtuar: “Unë isha shumë këmbëngulës që takimi të zhvillohej”.
Ai shprehu optimizëm për rezultatin e bisedimeve, duke thënë: “Mendoj se gjëra të mira mund të dalin nga ai takim”.
“Mos e nënvlerësoni” takimin e së enjtes, kërkoi Trump, duke e lavdëruar presidentin Erdoğan si “mikpritës të shkëlqyer”.
“Po mendoja të fluturoja” për takimin, tha ai, duke shtuar se mund të udhëtojë për në Türkiye “nëse mendoj se gjëra mund të ndodhin”.