Mbretëria e Bashkuar ka rifilluar zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike me Sirinë, tetë muaj pas rënies së regjimit të Bashar al-Assad, duke shënuar një kthesë të rëndësishme në politikën e jashtme britanike.
Sekretari i Jashtëm i Britanisë, David Lammy, të shtunën u bë ministri i parë britanik që viziton Damaskën pas 14 vitesh. Ai u takua me presidentin sirian Ahmed al-Sharaa dhe ministrin e Jashtëm Asaad al-Shaibani, në një vizitë të profilit të lartë që synon forcimin e sigurisë rajonale.
“Si ministri i parë britanik që viziton Sirinë pas rrëzimit të regjimit brutal të Assadit, kam parë me sytë e mi përparimin e jashtëzakonshëm që kanë bërë sirianët në rindërtimin e jetës dhe vendit të tyre,” tha Lammy në një deklaratë zyrtare.
Ai theksoi se Mbretëria e Bashkuar do të mbështesë përpjekjet e qeverisë siriane për të ofruar “një të ardhme më të qëndrueshme, më të sigurt dhe më të begatë për të gjithë qytetarët sirianë,” duke vënë në dukje se stabiliteti rajonal është në interes të Britanisë.
Gjatë vizitës së tij, Lammy u takua gjithashtu me vullnetarët e mbrojtjes civile siriane, të njohur si Helmetat e Bardha, për të mësuar rreth punës së tyre në pastrimin e municioneve të pashpërthyera dhe ofrimin e kujdesit emergjent shëndetësor.
Ai vizitoi gjithashtu biznese të drejtuara nga gra që mbështeten nga programi i rimëkëmbjes ekonomike të Britanisë në Siri, si shenjë e angazhimit britanik për zhvillim të qëndrueshëm në rajon.
Mbretëria e Bashkuar njoftoi një paketë ndihme prej 94.5 milionë £, e cila përfshin ndihmë humanitare, iniciativa arsimore, programe për gjenerimin e të ardhurave, si dhe ndihmë për vendet që strehojnë refugjatë sirianë.
“Rënia e Assadit paraqet një mundësi që qeveria e re siriane të deklarojë dhe shkatërrojë plotësisht programin e armëve kimike të trashëguar nga Assadi,” tha Lammy.
Ai përsëriti mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për një tranzicion politik gjithëpërfshirës në Siri, duke theksuar se riangazhimi me Damaskun do të ndihmojë në parandalimin e shfrytëzimit të sirianëve të cenueshëm nga kontrabandistët e njerëzve në drejtim të Europës.
“Një Siri e qëndrueshme është në interesin e Britanisë së Madhe, duke reduktuar rrezikun e migrimit të parregullt, duke siguruar shkatërrimin e armëve kimike, duke trajtuar kërcënimin e terrorizmit dhe duke ndihmuar në realizimin e Planit për Ndryshim të Qeverisë,” përfundoi ai.