Vizita në Kosovë e Kryetares së Dhomave të Specializuara të gjykatës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, u prit me protesta dhe kundërshtime. Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe përfaqësues të Partisë Socialdemokrate, protestuan duke kundërshtuar këtë vizitë.
Ata thonë se Dhomat e Specializuara kanë treguar qasje të njëanshme kundrejt luftës së UÇK-së, duke anashkaluar krimet serbe, dhe se kjo qasje e politizuar rrezikon drejtësinë, paqen dhe legjitimitetin e vetë institucioneve të drejtësisë.
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, tha se Trendafilova është e padëshiruar në Kosovë.
“Reagimi ka qenë që Trendafilova të mos vijë në Kosovë fare, ne e dimë se vizita e saj, sa herë vjen në Kosovë, kjo vjen vetëm për një të keqe, një të zezë të Kosovës”, tha Gucati.
Ndërkaq, nënkryetari i OVL-UÇK-së, Fatmir Sopi, theksoi se Kryetarja e Dhomave të Specializuara është treguar shpërfillëse ndaj zërit të qytetarëve të Kosovës.
“Qasje shpërfillëse dhe e njëanshme nga znj. Trandafilova. Paraqitjet e saj publike kanë treguar mungesë respekti për realitetin e luftës çlirimtare dhe për vuajtjet e popullatës shqiptare. Shpesh ka shpërfillur zërat e viktimave, veteranëve dhe qytetarëve të Kosovës, duke i cilësuar reagimet si ‘presion ndaj drejtësisë’, në vend që t’i njohë si shqetësime të ligjshme”, tha Sopi.
Të përballur me protesta, zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Angela Griep njoftoi se konferenca e kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, është anuluar “në interes të sigurisë publike”.