Takimi i Presidentit sirian Ahmad Alsharaa me homologun e tij amerikan, Donald Trump, trajtoi partneritetin në luftën kundër terrorizmit, tha Ministria e Jashtme e Sirisë të mërkurën.
Alsharaa dhe Trump zhvilluan takimin e tyre të parë në kryeqytetin saudit, Riad, të mërkurën. Princi i Kurorës Saudite Mohammed bin Salman mori pjesë në takim, të cilit iu bashkua edhe Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan onlajn.
Duke e quajtur takimin "historik", ministria e jashtme tha se takimi nënvizoi rëndësinë e heqjes së sanksioneve të vendosura ndaj Sirisë dhe mbështetjen e përpjekjeve të rimëkëmbjes dhe rindërtimit.
"Takimi trajtoi mënyrat e partneritetit midis Sirisë dhe ShBA-së në fushën e luftimit të terrorizmit dhe bashkëpunimin në eliminimin e ndikimit të aktorëve joshtetërorë dhe grupeve të armatosura të huaja që pengojnë stabilitetin, përfshirë DAESh-in, si dhe kërcënime të tjera."
Sipas ministrisë, Trump pohoi angazhimin e vendit të tij për të qëndruar pranë Sirisë gjatë kësaj faze kritike.
Nga ana e tij, Bin Salman theksoi domosdoshmërinë e heqjes së sanksioneve ndaj Sirisë për të arritur stabilitet në rajon, thuhet në deklaratë.
Ministria shtoi se Alsharaa shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen rajonale dhe ndërkombëtare, duke theksuar rrugën e sigurt të Sirisë drejt së ardhmes.
Sipas deklaratës, Ministri i Jashtëm Sirian, Asaad al-Shaibani, do të takohet me Sekretarin e Shtetit të ShBA-së, Marco Rubio, për ta ndjekur koordinimin dypalësh dhe për të përforcuar mirëkuptimet e arritura midis të dyja vendeve.
Të martën, Trump tha gjatë Forumit të Investimeve Arabo-Amerikane 2025 në Riad se do të urdhëronte heqjen e sanksioneve "brutale dhe paralizuese" të ShBA-së ndaj Sirisë për t'i dhënë atij vendi "një shans për madhështi".