Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan theksoi të mërkurën rëndësinë e zbatimit të shpërbërjes së premtuar të grupit terrorist PKK.
“Ajo që ka vërtet rëndësi është zbatimi, Organizata jonë Kombëtare e Inteligjencës do të monitorojë nga afër nëse premtimet mbahen”, tha Erdoğan në një takim të grupit parlamentar të partisë së tij.
Me vendimin e grupit terrorist PKK për t’u shpërbërë dhe për të dorëzuar armët, Türkiye ka hyrë në një fazë të re në përpjekjet e saj për një “Türkiye pa terror”, tha Erdoğan.
“Epoka e terrorizmit, armëve, dhunës dhe paligjshmërisë tashmë ka marrë fund”, theksoi ai.
“Është me rëndësi jetike që degët e grupit terrorist në Siri dhe Evropë gjithashtu t’i njohin këto realitete dhe t’i bashkohen procesit të shpërbërjes dhe çarmatimit”, shtoi Erdoğan, duke iu referuar PKK/YPG-së së Sirisë, ndër degët e tjera terroriste të PKK-së.
Türkiye, qendra kryesore për diplomacinë e paqes
Duke u ndalur te iniciativat e Türkiye për të siguruar paqen në të gjithë botën, Erdoğan tha: “Ne po kontribuojmë në mënyrë aktive në përpjekjet për paqe në rajonin tonë dhe më gjerë”, duke shtuar: “Sot, vendi ynë është bërë një nga qendrat e diplomacisë së paqes.”
Erdoğan gjithashtu falënderoi Presidentin e ShBA-së Donald Trump për njoftimin se do të heqë sanksionet ndaj Sirisë.
“Unë besoj në mbështetjen e mikut tim Trump për përpjekjet tona për t’i dhënë fund tragjedisë humanitare në Gaza, e cila tani ka arritur nivelin e brutalitetit”, tha Erdoğan.