Ministria e Mbrojtjes e Libisë tha të mërkurën se një armëpushim hyri në fuqi në kryeqytetin Tripoli, pasi kishin rifilluar përleshjet e armatosura.
Një deklaratë e ministrisë tha se armëpushimi filloi në të gjitha zonat e tensionuara në Tripoli si pjesë e përpjekjeve "për t’i mbrojtur civilët, për t’i ruajtur institucionet shtetërore dhe për ta shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm".
Thuhet se forcat e rregullta, në koordinim me agjencitë e sigurisë, kanë marrë masat e nevojshme për ta siguruar qetësinë, duke përfshirë "vendosjen e njësive neutrale në një numër pikash kontakti për ta siguruar stabilitetin dhe për ta parandaluar çdo fërkim në tokë".
Ministria u bëri thirrje të gjitha palëve të angazhohen plotësisht ndaj armëpushimit dhe të përmbahen nga çdo veprim që mund të çojë në tensione të reja.
Përleshjet e armatosura rifilluan në lagjet Ain Zara, Ras Hassan dhe Bin Ashur në kryeqytet të mërkurën, sipas dëshmitarëve okularë.
Ende nuk kishte informacione në lidhje me lëndimet.
Policia Gjyqësore tha se disa të burgosur u arratisën nga burgu Al-Jadida në Tripolin lindor si rezultat i përleshjeve pranë objektit.
Policia tha se shumica e të arratisurve u dënuan për krime të rënda, duke paralajmëruar se dhuna e vazhdueshme mund të ketë pasoja të rënda për sigurinë në kryeqytet.
Mediat libiane thanë se fluturimet u pezulluan në aeroportin Mitiga për shkak të përleshjeve, ndërsa Ministria e Arsimit pezulloi mësimin në shkollat në kryeqytet.
Përleshjet shpërthyen për herë të parë të hënën pas vdekjes së Abdel Ghani al-Kikli, i cili e kryesonte Aparatin e Mbështetjes së Stabilitetit të lidhur me Këshillin Presidencial.
Misioni Mbështetës i OKB-së në Libi (UNSMIL) shprehu shqetësim të martën për përleshjet e vazhdueshme në Tripoli.
“UNSMIL-ja është thellësisht i alarmuar nga përshkallëzimi i dhunës në lagjet me popullsi të dendur të Tripolit për natën e dytë radhazi, duke vënë në rrezik të madh civilë të panumërt”, tha ajo në X, duke bërë thirrje për një armëpushim “të menjëhershëm dhe pa kushte” në të gjitha zonat e populluara.
Libia ka mbetur në trazira që nga viti 2011, kur sundimtari i saj i hershëm Muamar Gadafi u rrëzua nga pushteti pas katër dekadash.