Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, tha të mërkurën në Luksemburg se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës nuk është në agjendën e Komitetit të Ministrave që po mbahet në Luksemburg.
Gjuriq tha se lajmi më i rëndësishëm është se sot Kosova nuk është dhe nuk do të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës. Ministri i Jashtëm serb Gjuriq merr pjesë në mbledhjen e Komitetit të Ministrave.
Sipas tij, ishte domethënëse që vendet e Quint-it nuk e përkrahën vënien e anëtarësimit të Prishtinës në agjendë dhe kujtoi se vitin e kaluar anëtarësimi i Kosovës u pengua edhe falë aktiviteteve diplomatike të Serbisë, në radhë të parë përpjekjeve diplomatike të presidentit serb Aleksandar Vuçiq në nivelet më të larta në bisedimet me liderët evropianë gjatë asaj periudhe.
"Në prezantimin tim në Komitetin e Ministrave, unë paralajmërova për faktin se, duke shënuar përvjetorët e Kartës së OKB-së dhe të Këshillit të Evropës, nuk duhet të harrojmë se Serbia, si një shtet demokratik, u pranua në Këshillin e Evropës brenda kufijve të saj 22 vjet më parë. Ne jemi një vend që qëndrojmë me vendosmëri pas parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe angazhohemi për parimet demokratike", tha Gjuriq.