Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, vlerësoi rolin e rëndësishëm të Türkiyes në bisedimet e paqes në Istanbul që synojnë zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, duke thënë se Presidenti turk Erdoğan është "një udhëheqës i mrekullueshëm brenda NATO-s dhe vërtet i respektuar nga kolegët".
"Mendoj se ekziston kjo dritare mundësie këtë javë, por edhe në 10 ditët, 2 javët e ardhshme, për ta çuar vërtet të gjithë çështjen e Ukrainës në një pozitë më të mirë. Nën udhëheqjen, sigurisht, të Presidentit (Volodymyr) Zelenskyy, por edhe të drejtuar nga qeveria amerikane. Dhe Türkiye luan një rol të madh këtu", tha Rutte për Anadolu, duke iu referuar bisedimeve të paqes në Istanbul.
Lidhur me shitjen e Eurofighter te Türkiye, Rutte tha: "Unë inkurajoj mosvendosjen e kufizimeve në shitjen e armëve nga një aleat ndaj një tjetri. Kjo nuk duhet të ndodhë brenda aleancës."
Ai nënvizoi më tej rëndësinë e industrisë mbrojtëse të Türkiyes për NATO-n, duke thënë: “Industria turke e mbrojtjes është thelbësore për aleancën në tërësi.”
“Për shembull, në Teksas, ka fabrika që prodhojnë municione. Ato nuk do të mund ta kishin bërë këtë pa bashkëpunimin e ngushtë të kompanive këtu në Türkiye. Ky është vetëm një nga shumë shembuj”, tha ai.
Duke komentuar shpërbërjen e grupit terrorist PKK, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha: “Ne e dimë që Türkiye në përgjithësi është një nga aleatët brenda NATO-s që është goditur më së shumti nga sulmet terroriste.”