BOTA
2 minuta leximi
BE-ja thotë se është gati të punojë drejt një marrëveshjeje për tarifat me ShBA-në
Më herët, Trump njoftoi se ShBA-ja do të vendosë tarifa prej 30% ndaj BE-së dhe Meksikës duke filluar më 1 gusht.
BE-ja thotë se është gati të punojë drejt një marrëveshjeje për tarifat me ShBA-në
BE-ja thotë se është gati të punojë drejt një marrëveshjeje për tarifat me ShBA-në / Reuters
12 Korrik 2025

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të shtunën shprehu gatishmërinë e saj për të punuar drejt një marrëveshjeje me ShBA-në deri më 1 gusht, pasi Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi tarifa prej 30% ndaj bllokut evropian, duke filluar nga muaji tjetër.

“Ne mbetemi të gatshëm të vazhdojmë punën drejt një marrëveshjeje deri më 1 gusht. Njëkohësisht, do të ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshëm për të mbrojtur interesat e BE-së, përfshirë miratimin e masave kundërpërgjigje të përpjesëtuara, nëse është e nevojshme,” tha von der Leyen në një deklaratë me shkrim.

Duke theksuar se Evropa ka ndjekur “vazhdimisht” një zgjidhje “të negociuar” me ShBA-në dhe duke riafirmuar angazhimin e saj për dialog, stabilitet dhe një partneritet transatlantik konstruktiv, ajo tha se “pak” ekonomi në botë mund të “krahasohen” me shkallën e “hapjes dhe respektimit të praktikave të ndershme tregtare” që ka blloku evropian.

“Vendosja e tarifave prej 30% mbi eksportet e BE-së do t’i prishte zinxhirët jetikë të furnizimit transatlantik, në dëm të bizneseve, konsumatorëve dhe pacientëve në të dyja anët e Atlantikut,” paralajmëroi von der Leyen.

Ajo shtoi se BE-ja vazhdon të “thellojë” partneritetet e saj globale, “të ankoruara fort” në parimet e “tregtisë ndërkombëtare të bazuar në rregulla.”

Më herët, Trump njoftoi se ShBA-ja do të vendosë tarifa prej 30% ndaj BE-së dhe Meksikës duke filluar më 1 gusht.

Në një postim në Truth Social, Trump ndau letra të veçanta të adresuara Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe Presidentes meksikane Claudia Sheinbaum, duke shpallur një tarifë prej 30% mbi mallrat që vijnë në ShBA nga Evropa dhe Meksika.

Letra rrezikon bisedimet tregtare ShBA-BE, pasi blloku kishte synuar të finalizonte një marrëveshje gjithëpërfshirëse tregtare këtë muaj.


Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us