RAJONI
2 minuta leximi
Beqiroviq me Rutten: Anëtarësimi në NATO, garancia më e mirë stabilitet në BeH
Anëtari i Presidencës së Bosnjë е Hercegovinës, Denis Beqiroviq tha se anëtarësimi në NATO mbetet një nga objektivat kyç të politikës së jashtme të vendit.
Beqiroviq me Rutten: Anëtarësimi në NATO, garancia më e mirë stabilitet në BeH
Beqiroviq me Rutten: Anëtarësimi në NATO, garancia më e mirë stabilitet në BeH / AA
26 Maj 2025

Anëtari i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Denis Beqiroviq, u takua me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në bazën ajrore Wright-Patterson në Dayton, në kuadër të një konference ndërkombëtare me rastin e 30-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit.

Beqiroviq falënderoi Rutte për mbështetjen e qëndrueshme dhe konkrete të NATO-s ndaj sovranitetit, integritetit territorial dhe pavarësisë së Bosnjë e Hercegovinës, duke theksuar se anëtarësimi në NATO mbetet një nga objektivat kyç të politikës së jashtme të vendit, i përcaktuar përmes vendimeve të institucioneve shtetërore, dhe se Aleanca është garancia më e mirë për paqen dhe stabilitetin, jo vetëm për BeH, por për të gjithë rajonin.

“Politikanët prorusë nga entiteti i RS duhet ta dinë se vendimet për NATO-n merren nga organet shtetërore të BeH, jo nga ato entitetesh që nuk kanë kompetencë. Ligjet dhe dokumentet strategjike për NATO-n janë miratuar njëzëri në institucionet shtetërore të BeH”, thuhet në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare të Facebook-ut të Denis Beqiroviq.

Në deklaratë gjithashtu thuhet se Beqiroviq e informoi Rutte për përshkallëzimin e sulmeve ndaj rendit kushtetues të BeH nga autoritetet e entitetit RS, paralajmëroi për “kërcënime të rrezikshme me forcë të armatosur ndaj agjencive shtetërore” dhe theksoi se aktivitete të tilla destabilizojnë Bosnjën dhe Hercegovinën dhe cenojnë paqen në rajon.

“Beqiroviq theksoi rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit mes Bosnjës e Hercegovinës dhe NATO-s, veçanërisht në segmentet e reformave përmes përdorimit të Planit të Veprimit për Anëtarësim si mekanizëm kyç i bashkëpunimit me Aleancën”, thuhet më tej, duke shtuar se ai theksoi rëndësinë e zbatimit sa më të gjerë të iniciativës së NATO-s për ndërtimin e kapaciteteve mbrojtëse të BeH, si dhe miratimin dhe zbatimin e Programit Individual të Partneritetit të Përshtatur, me qëllim përgatitjen cilësore të BeH për anëtarësim në NATO.

“Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, përsëriti përkushtimin e fortë të Aleancës për ruajtjen e sigurisë së Bosnjë e Hercegovinës dhe stabilitetit të të gjithë Ballkanit Perëndimor. Ai në veçanti theksoi se Bosnja de Hercegovina duhet të mbetet një shtet unik dhe multietnik”, thuhet në fund të deklaratës.

Ky ishte takimi i katërt mes Beqiroviq dhe sekretarit të përgjithshëm Rutte në gjashtë muajt e fundit.

Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us