POLITIKË
3 minuta leximi
Vendet arabe dënojnë deklaratën e Netanyahut për vizionin e tij për "Izraelin e madh"
Vendet arabe reaguan ndaj deklaratave të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në lidhje me vizionin e tij për "Izraelin e madh".
Vendet arabe dënojnë deklaratën e Netanyahut për vizionin e tij për "Izraelin e madh"
Vendet arabe dënojnë deklaratën e Netanyahut për vizionin e tij për "Izraelin e madh" / AP
19 orë më parë

Vendet arabe reaguan ndaj deklaratave të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në lidhje me vizionin e tij për "Izraelin e madh".

Në një deklaratë, Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite dënoi fuqishëm deklaratat e kryeministrit izraelit lidhur me të ashtuquajturin vizionin e "Izraelit të madh", idetë dhe projektet e vendbanimeve dhe ekspansionizmit të adoptuara nga zyrtarët izraelitë.

Deklarata përsëriti të drejtën e popullit palestinez për të krijuar shtet të pavarur dhe sovran në tokën e vet dhe paralajmëroi komunitetin ndërkombëtar për "shkeljet flagrante të Izraelit që minojnë themelet e legjitimitetit ndërkombëtar, shkelin hapur sovranitetin e shteteve, kërcënojnë sigurinë dhe paqen rajonale e ndërkombëtare".

Katari

Në një deklaratë, Ministria e Jashtme e Katarit dënoi deklaratat e Netanyahut rreth vizionit të tij të ashtuquajtur "Izrael i madh". Ministria tha se deklarata të tilla janë "zgjatim i arrogancës së Izraelit, qasjes së tij të bazuar në nxitjen e krizave dhe konflikteve si dhe shkeljes së hapur të sovranitetit shtetëror, ligjit ndërkombëtar, Kartës së OKB-së dhe rezolutave ndërkombëtare".

Deklarata vuri në dukje se "pretendimet e pabaza dhe deklaratat provokuese të Izraelit nuk mund të dëmtojnë të drejtat legjitime të shteteve arabe" dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të veprojë së bashku kundër këtyre provokimeve që e zvarrisin rajonin në dhunë dhe kaos të mëtejshëm.

Palestina

Në një deklaratë, presidenca palestineze i përshkroi deklaratat e Netanyahut si "shkelje të rezolutave ndërkombëtare dhe të drejtës ndërkombëtare dhe sulm ndaj sovranitetit të shteteve dhe sigurisë e stabilitetit të rajonit".

Reagimi vuri në dukje se deklarata në fjalë ishte "e papranueshme dhe se politikat ekspansioniste dhe kolonialiste të Izraelit kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin e rajonit".

Jemeni

Ministria e Jashtme e Jemenit tha në një deklaratë se "dënon fuqimisht mburrjen e kryeministrit izraelit për atë që ai e quan vizionin e tij të 'Izraelit të madh'".

"Një shkelje e qartë e së drejtës ndërkombëtare dhe sfidë e hapur e vullnetit të bashkësisë ndërkombëtare", thuhet në reagimin e ministrisë e cila paralajmëroi se vazhdimi i politikave të Izraelit do ta çonte rajonin në tensione dhe paqëndrueshmëri të mëtejshme.

Netanyahu pretendon se "po ndërmerr mision historik dhe shpirtëror".

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu duke pretenduar se ndihet se ka marrë përsipër një mision historik dhe shpirtëror tha se është i përkushtuar ndaj vizionit për një "Izrael të madh", i cili përfshin territoret e pushtuara palestineze.

Kur një gazetar i "i24 News" e pyeti nëse ndjen lidhje me vizionin e "Izraelit të madh", Netanyahu u përgjigj: "Shumë". Deputeti izraelit i ekstremit të djathtë Sharon Gal i dhuroi së fundmi Netanyahut një amuletë që simbolizon "Izraelin e madh".

Termi "Izraeli i madh" është përdorur nga disa sionistë, përfshirë Zeev Jabotinsky, themeluesin e lëvizjes sioniste revizioniste dhe që konsiderohet si babai themelues i partisë në pushtet Likud, për t'iu referuar kufijve aktualë të Izraelit, Rripit të Gazës dhe Bregut Perëndimor të pushtuar si dhe territoreve në Jordani.



BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us