Një gjykatë izraelite urdhëroi të martën lirimin e një koloni të paligjshëm të akuzuar për vrasjen e një aktivisti palestinez në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Odeh Mohammad Khalil al-Hathalin (31), i cili kishte marrë pjesë si konsulent në dokumentarin e shpërblyer me “Oscar” Nuk ka tokë tjetër, u vra nga armët e një koloni izraelit në fshatin palestinez Umm al-Kheir të hënën në mbrëmje.
Një video e publikuar nga organizata izraelite për të drejtat e njeriut B'Tselem tregon Yinon Levin duke hapur zjarr ndaj Hathalinit.
Sipas gazetës Haaretz, Gjykata për Kundërvajtje në Jeruzalem e liroi Levin dhe e vendosi në arrest shtëpiak.
“Policia e ka akuzuar për vrasje nga pakujdesia dhe për përdorim të armës së zjarrit,” thuhet në gazetë.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kishin vendosur më parë sanksione ndaj Levin për dhunën e ushtruar ndaj palestinezëve.
Filmi No Other Land (Nuk ka tokë tjetër), që dokumenton rezistencën e palestinezëve ndaj politikave izraelite të shkatërrimit të shtëpive dhe zhvendosjes në zonën Masafer Yatta të Bregut Perëndimor, fitoi “Oscar”-in për dokumentarin më të mirë në vitin 2024.
Ndërkohë, ushtria izraelite kreu një bastisje në fshatin Umm al-Kheir dhe arrestoi dy aktivistë të huaj, thanë dëshmitarët për Anadolu.
Sipas tyre, ushtria shpalli fshatin zonë ushtarake të mbyllur për të parandaluar çdo raportim mediatik pas vrasjes të së hënës.
Që nga fillimi i luftës gjenocidale izraelite në Rripin e Gazës në tetor 2023, të paktën 1.009 palestinezë janë vrarë dhe mbi 7.000 janë plagosur në Bregun Perëndimor nga forcat izraelite dhe kolonët e paligjshëm, sipas të dhënave të Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.
Në një vendim historik korrikun e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli të paligjshëm pushtimin e territorit palestinez nga Izraeli dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe në Jerusalemin Lindor.