RAJONI
2 minuta leximi
​Lirohet për qarkullim rruga në drejtim të Maqedonisë së Veriut
“Ju njoftojmë se është liruar rruga për qarkullim të gjithë kamionëve në drejtim të RMV-së”, thuhet në njoftimin e Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar të Kosovës.
​Lirohet për qarkullim rruga në drejtim të Maqedonisë së Veriut
​Lirohet për qarkullim rruga në drejtim të Maqedonisë së Veriut / AA
10 Korrik 2025

Rruga në drejtim të Maqedonisë së Veriut është liruar për qarkullimin e të gjitha automjeteve, përfshirë kamionët, njoftoi Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar e Kosovës.

“Ju njoftojmë se është liruar rruga për qarkullim të gjithë kamionëve në drejtim të RMV-së”, u njoftua përmes një postimi në Facebook.

Njoftimi i fundit vjen të enjten në mëngjes, pasi të mërkurën vonë QKMK-ja njoftoi se është hapur kufiri në PKK Hani i Elezit për qarkullim në hyrje - dalje për të gjitha automjetet. Por, kishte mbetur i mbyllur qarkullimi për automjete dhe bartjen e mallrave në Terminalin Doganor.

Rruga Shkup-Han i Elezit ishte bllokuar për të gjitha automjetet, për shkak të zjarrit në afërsi të tunelit në Maqedoni të Veriut, njoftoi të mërkurën QKMK-ja.

Ndërkaq në Kosovë, rreth 300 raste zjarresh janë regjistruar vetëm gjatë pesë ditëve të fundit, si pasojë e temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin.

Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, Genc Metaj, tha se gjatë kësaj periudhe ekipet kanë ndërhyrë në 295 raste zjarresh nëpër komuna të ndryshme të Kosovës.

Në konferencën e thirrur për media të mërkurën, Metaj tha se dita më e rënduar ka qenë 7 korriku, kur janë shënuar gjithsej 66 raste të zjarreve, prej të cilave 57 kanë ndodhur pasdite. 

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us