Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, priti në takim delegacionin e Grupit Ndërparlamentar të Miqësisë Türkiye-Maqedoni e Veriut, të Kuvendit të Madh Kombëtar Turk, i cili ndodhet në vizitë treditore në vend.
Në takimin e kryeparlamentarit Gashi me deputetët turq, u konstatua se komunikimi dypalësh është intensifikuar në shumë nivele në vitin e fundit, si një konfirmim tjetër i miqësisë së madhe dhe tradicionale midis dy vendeve dhe popujve, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
Me këtë rast, Gashi shprehu mirënjohje për ndihmën nga Türkiye për trajtimin e të lënduarve në tragjedinë që ndodhi në mars të këtij viti në Koçan. Ai gjithashtu mbështeti thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit parlamentar, duke treguar mundësinë e intensifikimit të komunikimit midis trupave punues që mbulojnë të njëjtat fusha në të dy parlamentet.
Kryetari i Grupit Ndërparlamentar të Miqësisë Türkiye-Maqedoni e Veriut të Kuvendit të Madh Kombëtar Turk, Ahmet Kiliç tha se në muajt e fundit ka pasur një intensifikim serioz të takimeve dypalëshe të nivelit të lartë, gjë që kontribuon në përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve.
Duke folur për marrëdhëniet ekonomike, Kiliç theksoi se tashmë është vendosur një qëllim i ri në këtë fushë, pasi shkëmbimi tregtar midis Maqedonisë së Veriut dhe Türkiyes tejkaloi shifrën e një miliard dollarëve.
Në takim u shkëmbyen mendime edhe për rolin e komunitetit turk në vend, për investimet turke si dhe për mundësitë për përmirësimin e bashkëpunimit në shumë fusha të tjera, siç janë arsimi, shëndetësia apo turizmi.
Gjatë ditës së djeshme delegacioni turk gjithashtu zhvilloi takime në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.