Delegacioni zyrtar i Shqipërisë në Samitin e NATO-s në Hagë të Holandës kryesohet nga Kryeministri Edi Rama, ndërkohë pjesë e këtij delegacioni është edhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.
Në një njoftim nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme thuhet se ministri Hasani mori pjesë në Takimin e Këshillit NATO-Ukrainë, dedikuar diskutimit për situatën në Ukrainë.
Sipas ministrisë, kryediplomati i Shqipërisë, Hasani, është takuar me sekretarin e Shtetit të ShBA-së, Marco Rubio, përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian (BE) për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, njëherësh zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Kaja Kallas dhe me homologë nga vendet anëtare dhe kandidate të BE-së.
"Gjatë takimit të Këshillit NATO–Ukrainë në Hagë, riafirmova mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për Ukrainën, vlerësova rolin udhëheqës të ShBA-së për zgjidhjen e krizës në Lindjen e Mesme, si dhe theksova rolin thelbësor të një shtylle të fortë evropiane për unitetin dhe qëndrueshmërinë e Aleancës.", ka theksuar Hasani në rrjetet sociale.
Sipas njoftimit, në margjinat e Samitit të NATO-s në Hagë, ministri Hasani do të zhvillojë takime dypalëshe me homologë të vendeve aleate dhe do të marrë pjesë në aktivitete të samitit, ku theksohet se në fokus do të jetë siguria dhe stabiliteti euroatlantik.