Presidenti i ShBA-së, Donald Trump tha se "në Gaza ka një përparim të madh" ndërsa ka njoftuar se përfaqësuesi i tij i posaçëm për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, i ka thënë se armëpushimi në Gaza është shumë afër.
Trump u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës, Mark Rutte, përpara sesionit të liderëve të Samitit të NATO-s në Hagë të Holandës.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Trump foli lidhur me situatën e fundit të armëpushimit Izrael-Iran.
"(Progresi) është shumë i mirë, mendoj. Shumë i mirë. Avionët izraelitë u kthyen mbrapsht dje. U ndjeva krenar për ta. Ata u ngritën sepse menduan se pati një shkelje. Teknikisht ata kishin të drejtë, por kjo nuk do të kishte dhënë rezultat shumë të mirë. Dhe ata i kthyen avionët mbrapsht", deklaroi Trump.
Për konfliktin midis Izraelit dhe Iranit, presidenti amerikan tha: "Ata patën një grindje të madhe si dy fëmijë në oborrin e një shkolle".
Trump tha se ai mendoi se do të ishte e lehtë t'i "linte të dyja palët të grindeshin" për një kohë dhe pastaj t'i ndalte ato.