LUFTA NË GAZA
2 minuta leximi
BE rikonfirmon kundërshtimin ndaj ndryshimeve demografike e territoriale në Gaza
Zëdhënësi i Komisionit Evropian tha se pozicioni i bllokut "nuk ka ndryshuar" dhe theksoi se bazohet në të drejtën ndërkombëtare, përfshirë Rezolutën 2735 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
BE rikonfirmon kundërshtimin ndaj ndryshimeve demografike e territoriale në Gaza
Israel Palestinians / AP
10 Korrik 2025

Bashkimi Evropian (BE) ka rikonfirmuar kundërshtimin e vendosur ndaj çdo ndryshimi demografik apo territorial në Rripin e Gazës dhe ka shprehur mbështetjen për bashkimin e Gazës me Bregun Perëndimor të pushtuar nën Autoritetin Palestinez.

Duke folur gjatë një konference për media në Bruksel, zëdhënësi i Komisionit Evropian, Anouar El Anouni, tha se pozicioni i bllokut evropian "nuk ka ndryshuar" dhe theksoi se bazohet në të drejtën ndërkombëtare, përfshirë Rezolutën 2735 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

"BE-ja refuzon çdo përpjekje për ndryshime demografike apo territoriale në Rripin e Gazës dhe mbështet bashkimin e Gazës me Bregun Perëndimor nën Autoritetin Palestinez", tha ai.

El Anouni gjithashtu përmendi komentet e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në nëntor të vitit 2023, duke theksuar se Gaza është "një pjesë thelbësore e shtetit të ardhshëm palestinez" dhe se "nuk duhet të ketë zhvendosje të detyruar të palestinezëve".

Që nga tetori i vitit 2023, ushtria izraelite ka vrarë në Gaza të paktën 57.700 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet e pandërprera kanë shkatërruar enklavën dhe kanë shkaktuar mungesa të ushqimit dhe përhapje të sëmundjeve.

Nëntorin e kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhërarreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën ndaj enklavës palestineze.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us