BOTA
2 minuta leximi
Banka Botërore e largon Kosovën nga Lista e Shteteve Fragjile dhe në Situatë Konflikti
Murati konsideroi se “ky ndryshim përbën avancim të jashtëzakonshëm dhe i vulos arritjet tona si shtet duke dëshmuar stabilitet institucional dhe qëndrueshmëri ekonomike”.
Banka Botërore e largon Kosovën nga Lista e Shteteve Fragjile dhe në Situatë Konflikti
Banka Botërore e largon Kosovën nga Lista e Shteteve Fragjile dhe në Situatë Konflikti / AA
9 Korrik 2025

 

Banka Botërore (BB) ka marrë vendim për largimin e Republikës së Kosovës nga Lista e Shteteve Fragjile dhe në Situatë Konflikti.

Ministri në detyrë i Financave, i Punës dhe i Transfereve, Hekuran Murati, i cili e mirëpriti lajmin, tha se pas më shumë se 15 vjetësh si shtet anëtar në Bankën Botërore, Kosovës i erdhi këtë javë njoftimi se është larguar nga kjo listë.

Murati konsideroi se “ky ndryshim përbën avancim të jashtëzakonshëm dhe i vulos arritjet tona si shtet duke dëshmuar stabilitet institucional dhe qëndrueshmëri ekonomike”.

“Ky lajm i mirë pa dyshim se do të ketë ndikim pozitiv në perceptimin ndërkombëtar karshi Republikës së Kosovës dhe e rrit besueshmërinë e investitorëve të huaj. Njëkohësisht, kjo dëshmon edhe për bashkëpunimin e shkëlqyer me Bankën Botërore, por edhe koordinimin jashtëzakonisht të mirë në mes të institucioneve vendore”, tha Murati.

Edhe Banka Qendrore e Kosovës (BQK) e konsideroi si domethënës vendimin e Bankës Botërore, me ç’rast tha se kjo “pasqyron progresin e vazhdueshëm të vendit në forcimin e qëndrueshmërisë institucionale, stabilitetit makroekonomik, qeverisjes financiare dhe sundimit të ligjit”.

“Vendimi është gjithashtu rezultat i koordinimit ndërinstitucional me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, si dhe i angazhimeve të vazhdueshme të BQK-së me partnerët ndërkombëtarë”, thuhet në reagimin e BQK-së.

Sipas BQK-së, disa nga përfitimet kryesore që priten për Kosovën pas heqjes nga kjo listë përfshijnë: Përmirësim të perceptimit ndërkombëtar për stabilitetin institucional dhe ekonomik të vendit; Rritje të besimit të investitorëve dhe ulje të vlerësimeve për rrezik financiar; Mundësi më të favorshme për financim zhvillimor dhe qasje në kapital privat; dhe Komplementimin e vlerësimit të parë sovran kreditor të Kosovës, që konfirmon trendin pozitiv në qeverisje dhe themelet ekonomike të vendit.

Tutje, BQK-ja tha se kjo arritje forcon më tej besueshmërinë ndërkombëtare të Kosovës dhe përforcon përpjekjet e përbashkëta të institucioneve për realizimin e vizionit afatgjatë për zhvillim të qëndrueshëm, përfshirje financiare dhe integrim evropian.

Në listën e përditësuar të Bankës Botërore vazhdojnë të mbesin 21 vende në konflikt, midis të cilave janë Ukraina, Afganistani, Iraku e të tjerë, derisa te vendet me institucione dhe situatë fragjile në shoqëri janë 17 vende, midis të cilave Libia, Venezuela, Kongo e të tjera.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us