POLITIKË
2 minuta leximi
Hezbollah refuzon thirrjet për çarmatim para përfundimit të “agresionit izraelit” ndaj Libanit
“Kush pranon dorëzimin, le të mbajë përgjegjësi për pasojat e atij vendimi, por ne nuk do ta pranojmë kurrë”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut, Naim Qassem.
Hezbollah refuzon thirrjet për çarmatim para përfundimit të “agresionit izraelit” ndaj Libanit
Hezbollah refuzon thirrjet për çarmatim para përfundimit të “agresionit izraelit” ndaj Libanit / AA
5 Korrik 2025

Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut, Naim Qassem, deklaroi të premten se grupi nuk do t’u përgjigjet thirrjeve për të dorëzuar armët përpara përfundimit të asaj që e cilëson si “agresion izraelit ndaj Libanit.”

Deklarata e tij u bë gjatë një fjalimi të transmetuar në kanalin televiziv Al-Manar, i afërt me Hezbollahun.

“Për ata që kërkojnë nga rezistenca (Hezbollah) të dorëzojë armët: më parë kërkoni largimin e agresorit. Nuk ka logjikë të mos kritikoni pushtimin dhe të kërkoni vetëm që ata që i rezistojnë atij, të çarmatosen,” u shpreh Qassem.

 “Kush pranon dorëzimin, le ta mbajë vetë përgjegjësinë për pasojat e atij vendimi, por ne nuk do ta pranojmë kurrë.

Ai shtoi gjithashtu se: “Mbrojtja e atdheut nuk ka nevojë për lejen e askujt. Kur të paraqitet një alternativë serioze dhe efektive për mbrojtjen, ne jemi të gatshëm të diskutojmë të gjitha detajet.”

Ndërkohë, Libani është në procesin e përgatitjes së një përgjigjeje zyrtare ndaj një propozimi të paraqitur nga emisari presidencial amerikan për Sirinë, Thomas Barrack, gjatë vizitës së tij në Bejrut më 19 qershor.

Sipas një zyrtari libanez që foli për Anadolu, propozimi amerikan ka tre pika kryesore: Monopoli i armëve nga shteti libanez; Reforma financiare dhe ekonomike; Kontroll më të rreptë kufitar, përfshirë ndalimin e kontrabandës, rritjen e detyrimeve doganore dhe forcimin e masave në pikat kufitare dhe institucionet publike.

Që nga përfundimi i luftës së fundit të Izraelit ndaj Libanit në nëntor (mbështetur nga ShBA-ja), presioni amerikan për çarmatimin e Hezbollahut është shtuar, ndërkohë që vetë grupi ka kërkuar të mbajë armët për aq kohë sa zgjat pushtimi izraelit.

Izraeli ka vazhduar sulmet pothuajse çdo ditë në jug të Libanit, duke pretenduar se shënjestron veprimtari të Hezbollahut, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit të arritur në nëntor, e cila i dha fund muajve të luftës ndërkufitare.

Autoritetet libaneze raportojnë afro 3.000 shkelje të armëpushimit nga Izraeli dhe të paktën 225 të vrarë dhe mbi 500 të plagosur që nga nënshkrimi i marrëveshjes.

Sipas marrëveshjes, Izraeli duhej të tërhiqej plotësisht nga jugu i Libanit deri më 26 janar, por afati u shty për më 18 shkurt për shkak të refuzimit të Tel Avivit për të zbatuar marrëveshjen. Izraeli ende mban praninë ushtarake në pesë pika kufitare.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us