BOTA
3 minuta leximi
Liderët botërorë në ceremoninë e varrimit të Papës Françesku në Vatikan
Sipas Agjencisë Katolike të Lajmeve, në meshën mortore marrin pjesë 55 presidentë, 12 monarkë në detyrë dhe 130 delegacione zyrtare.
Liderët botërorë në ceremoninë e varrimit të Papës Françesku në Vatikan
Liderët botërorë në ceremoninë e varrimit të Papës Françesku në Vatikan / AA
26 Prill 2025

Liderët botërorë dhe anëtarë të familjeve mbretërore marrin pjesë në varrimin e Papës Françesku në Vatikan.

Sipas Agjencisë Katolike të Lajmeve, në meshën mortore marrin pjesë 55 presidentë, 12 monarkë në detyrë dhe 130 delegacione zyrtare.

Ndër të pranishmit janë presidenti amerikan Donald Trump, sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, presidenti francez Emmanuel Macron, presidenti dhe kancelari gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe Olaf Scholz, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe presidenti Sergio Mattarella, kryeministri britanik Keir Starmer, princi William, mbreti dhe mbretëresha e Spanjës Felipe VI dhe Letizia, si dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Në ceremoni janë prezent gjithashtu presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva, presidenti argjentinas Javier Gerardo Milei, presidenti ekuadorian Daniel Noboa, presidenti filipinas Ferdinand Marcos Jr., presidenti polak Andrzej Duda, kryeministri irlandez Michael Martin, presidenti kroat Zoran Milanović, presidentja e Moldavisë Maia Sandu, mbreti dhe mbretëresha e Belgjikës Philippe dhe Mathilde, trashëgimtari i fronit norvegjez Haakon dhe trashëgimtarja Mette-Mar.

Ceremonia e varrimit të Papës Françesku ka filluar të shtunën në orën 10:00 sipas kohës lokale. Më shumë se 250.000 besimtarë janë mbledhur në Sheshin Shën Pjetri në Vatikan.

Pas ceremonisë fetare, trupi i Papës do të transportohet me papamobilin, i përshtatur për ceremoni mortore, drejt kishës Santa Maria Maggiore ku do të bëhet varrimi me dyer të mbyllura.

Masat e sigurisë janë rritur në të gjithë Romën, ndërsa turma të mëdha janë mbledhur për të bërë homazhe. Vatikani ka organizuar mbështetje logjistike të gjerë dhe janë vendosur ekrane të mëdhenj për ata që nuk mund të hyjnë në shesh.

Pritet që konklava, pra mbledhja e kardinalëve për të zgjedhur Papën e ri, të mbahet midis 6 dhe 10 majit, ndonëse mund të fillojë edhe më herët nëse të gjithë kardinalët arrijnë në Romë.

Papa Françesku, i lindur si Jorge Mario Bergoglio më 17 dhjetor 1936 në Buenos Aires, ishte bir i emigrantëve italianë. Ai ka studiuar në Argjentinë dhe Gjermani dhe është shuguruar si prift jezuit në vitin 1969.

Ai u bë udhëheqës i Kishës Katolike në vitin 2013, duke qenë Papa i parë nga Amerika Latine. Gjatë më shumë se dhjetë viteve të pontifikatit të tij, mbeti një figurë e admiruar, por edhe e kundërshtuar, duke u angazhuar për reformimin e burokracisë së Vatikanit, luftën kundër korrupsionit dhe drejtësinë sociale, ndërsa përballej me rezistencë nga qarqet konservatore brenda Kishës.

Muajt e fundit të jetës së tij u shoqëruan nga përballja me bronkit dhe pneumoni të dyanshme. Ai u lirua nga spitali në Romë pas 38 ditësh, ndërsa vdiq të hënën, më 21 prill, në moshën 88-vjeçare.

BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us