Steve Witkoff, i dërguari i posaçëm i Presidentit amerikan Donald Trump për Lindjen e Mesme, po udhëton drejt Evropës për “negociata shumë delikate” lidhur me një marrëveshje armëpushimi në Gaza dhe lirimin e pengjeve, njoftoi të mërkurën Shtëpia e Bardhë.
Gjatë vizitës, Witkoff “do të takohet me liderë kyç nga Lindja e Mesme për të diskutuar propozimin aktual të armëpushimit për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza dhe për lirimin e pengjeve,” tha për gazetarët zëdhënësja Karoline Leavitt.
“Presidenti dhe i dërguari i posaçëm Witkoff i kanë bërë të qarta qëllimet e administratës. Ne duam që ky armëpushim të ndodhë sa më shpejt dhe që këto pengje të lirohen,” shtoi ajo.
Negociatat indirekte mes Izraelit dhe Hamasit për armëpushimin dhe marrëveshjen për lirimin e të burgosurve po vazhdojnë në Doha, Katar.
Leavitt nuk dha më shumë detaje, por mediat izraelite raportuan se Witkoff do të takohet të enjten në Romë me ministrin izraelit të Çështjeve Strategjike, Ron Dermer. Ende nuk është e qartë nëse Witkoff do të takohet edhe me zyrtarë të tjerë rajonalë.
Hamas ka shprehur disa herë gatishmërinë për të liruar të gjithë pengjet izraelitë në një fazë të vetme në këmbim të përfundimit të luftës dhe tërheqjes së plotë të forcave izraelite nga Gaza. Izraeli vlerëson se rreth 50 pengje ende ndodhen në enklavë, gjysma e të cilëve dyshohet të jenë të vdekur.