Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi të enjten se këngëtarja e njohur Dua Lipa, të cilës tashmë iu nda shtetësia e Kosovës, është një nga” personaliteteve më të rëndësishme kulturore dhe artistike në historinë e vendit tonë".
Këngëtarja me famë botërore ka marrë shtetësinë e Kosovës pasi presidentja Osmani ka nënshkruar dekretin përkatës.
"Mirë se erdhe në shtëpi, Dua! Sot pata nderin që me dekret presidencial t’i jap nënshtetësinë e Republikës së Kosovës Dua Lipës", shkroi Osmani në platformën X.
Ajo theksoi se Dua dhe Kosova kanë qenë gjithmonë të pandashme dhe shtoi se ajo vazhdon të jetë një nga zërat më të fuqishëm në skenat më të mëdha të botës, duke bërë histori me të arriturat e saj dhe duke u shndërruar në inspirim për miliona njerëz anekënd globit.
"Mirënjohja jonë është e pafund për gjithçka që Dua ka bërë dhe vazhdon të bëjë për Kosovën, për rininë tonë, për artin tonë dhe për imazhin ndërkombëtar të vendit tone", përfundoi Osmani.