Vullkani Etna, një nga vullkanet aktive në Italinë jugore, në orët e mëngjesit shpërtheu fuqishëm dhe dendur me hi dhe lavë, si rezultat i shembjes së kraterit të tij juglindor.
Sipas informacionit nga dega e Institutit Kombëtar Italian të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV) në Katania, ndodhi një shpërthim vullkanik si pasojë e shembjes së një pjese të kraterit juglindor të Vullkanit Etna, i cili ndodhet në një lartësi prej 2.900 metrash.
Si rezultat i shpërthimit, nga krateri në fjalë u vunë re nxjerrje të fuqishme hiri dhe rrjedha intensive të lavës.
Sipas vëzhgimeve fillestare, reja e hirit arriti një lartësi deri në 5 kilometra.
Thuhet se lava që shpërtheu në krater njëkohësisht me hirin arriti në kufirin e Luginës së Luanit në shpatin e vullkanit.
Dridhjet vullkanike kanë vazhduar në vullkan që nga mbrëmë.
Shpërthimi vullkanik i mëngjesit të sotëm në Vullkanin Etna mund të vërehej nga vendbanimet përreth si Katania, dhe imazhet treguan njerëz që përpiqeshin të shpëtonin nga vullkani në kohën e shpërthimit.
Ndërkohë, është lëshuar një paralajmërim "kod i kuq" për avionët që kalojnë nëpër rajon për shkak të shpërthimit vullkanik.
Mali Etna në ishullin e Siçilisë është vullkani më i lartë aktiv në Evropën kontinentale me një lartësi prej afërsisht 3.300 metrash.