BOTA
2 minuta leximi
Shtëpia e Bardhë: ShBA-ja dhe Katari nënshkruajnë marrëveshje me vlerë 1,2 trilionë dollarë
“Marrëveshjet historike të festuara sot do ta nxisin inovacionin dhe begatinë për brezat që vijnë”, deklaroi Shtëpia e Bardhë.
Shtëpia e Bardhë: ShBA-ja dhe Katari nënshkruajnë marrëveshje me vlerë 1,2 trilionë dollarë
Shtëpia e Bardhë: ShBA-ja dhe Katari nënshkruajnë marrëveshje me vlerë 1,2 trilionë dollarë / AA
një ditë më parë

Marrëveshjet “të jashtëzakonshme” të nënshkruara nga Katari gjatë vizitës së Presidentit amerikan Donald Trump përfaqësojnë një angazhim ekonomik “historik” me vlerë të paktën 1,2 trilionë dollarë, njoftoi të mërkurën Shtëpia e Bardhë.

“Marrëveshjet historike të festuara sot do ta nxisin inovacionin dhe begatinë për breza të tërë, do ta forcojnë industrinë prodhuese dhe udhëheqjen teknologjike amerikane dhe do ta vendosin Amerikën në rrugën drejt një Epoke të Re të Artë”, thuhet në deklaratë.

Ndër marrëveshjet e përmendura ishte një marrëveshje e mëparshme me Boeing, për furnizimin e Qatar Airways me avionë 787 Dreamliner dhe 777X të pajisur me motorë të GE Aerospace. Sipas Shtëpisë së Bardhë, kjo përbën porosinë më të madhe ndonjëherë të avionëve të gjerë trup (widebody) dhe të modelit 787 nga Boeing.

Sipas të dhënave të Shtëpisë së Bardhë, kjo marrëveshje ka një vlerë prej 96 miliardë dollarësh, duke përfshirë deri në 210 avionë të prodhuar në ShBA. Presidenti Trump më herët kishte deklaruar se marrëveshja kap vlerën e mbi 200 miliardë dollarëve dhe përfshin 160 avionë, por dallimet në shifra nuk janë sqaruar ende. Shtëpia e Bardhë nuk dha menjëherë një koment lidhur me këtë mospërputhje.

Deklarata përmend gjithashtu një marrëveshje për zhvillim energjie me kompaninë amerikane Parsons, si dhe një angazhim nga kompania katariote Al Rabban Capital për të investuar 1 miliard dollarë në teknologjitë kuantike dhe zhvillimin e fuqisë punëtore në ShBA.

Në fushën e mbrojtjes, Shtëpia e Bardhë njoftoi se Raytheon ka nënshkruar një marrëveshje 1 miliard dollarëshe për t’i furnizuar Katarin me kapacitete kundër-dronëve, duke e bërë Katarin klientin e parë ndërkombëtar të sistemit FS-LIDS të Raytheon, që synon neutralizimin e dronëve të vegjël dhe me lëvizje të ngadaltë. General Atomicsgjithashtu ka nënshkruar një marrëveshje prej 2 miliardë dollarësh për shitjen e dronëve mbikëqyrës MQ-9B SkyGuardian.

Një deklaratë e përbashkët mes ShBA-së dhe Katarit përshkruan gjithashtu mbi 38 miliardë dollarë investime potenciale, përfshirë mbështetjen për ndarjen e barrës financiare në bazën ajrore Al Udeid dhe për kapacitete të ardhshme mbrojtëse në fushën e mbrojtjes ajrore dhe sigurisë detare.

Kjo bazë, e vendosur në jugperëndim të Dohas, është baza më e madhe ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme.

“Këto marrëveshje të reja synojnë ta nxisin rritjen e marrëdhënieve tregtare ShBA-Katar, të krijojnë mijëra vende pune të mirëpaguara dhe të hapin mundësi të reja tregtare dhe investimi për të dyja vendet gjatë dekadës së ardhshme e më tej”, tha Shtëpia e Bardhë.

BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us