Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, përsëriti të mërkurën thirrjen e tij për një ndërprerje të menjëhershme të armiqësive në Gaza.
“Ritheksoj thirrjen time për lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjitha pengjeve, akses të pakufizuar humanitar dhe një ndërprerje të menjëhershme të armiqësive që do të hapte rrugën për një zgjidhje të pakthyeshme me dy shtete”, tha Guterres në një konferencë të përbashkët me kancelarin gjerman Friedrich Merz në Berlin.
Ai tha se është “shumë i shqetësuar” për situatën në Gaza, duke theksuar se nuk ka zgjidhje ushtarake për luftën.
Kancelari gjerman Merz paralajmëroi gjithashtu për një “përshkallëzim dramatik të situatës” në Gaza.
“Ne shohim fatin e njerëzve atje, grave, të moshuarve, fëmijëve, dhe i bëjmë thirrje qeverisë izraelite që të bëjë gjithçka që është e mundur për ta siguruar përmbushjen e detyrimeve humanitare ndaj të cilave Izraeli është zotuar në kuadër të rendit ndërkombëtar politik”, tha ai.
Merz shtoi se nuk ka “plane për ta vizituar Izraelin.”
Izraeli i ka mbajtur të mbyllura pikat kufitare të Gazës për ushqim, ndihma mjekësore dhe humanitare që nga 2 marsi, duke e thelluar edhe më tej krizën humanitare në enklavë.
Kufizimet e rënda të Izraelit ndaj furnizimeve kanë lënë më shumë se 2 milionë palestinezë në kushte të dëshpëruara, të cilat organizatat ndërkombëtare i kanë përshkruar si një akt të qëllimshëm ndëshkimi kolektiv.