RAJONI
3 minuta leximi
Edi Rama mban fjalimin e fitores për herë të katërt, feston me mbështetësit e tij
Në fjalimin e tij para mbështetësve në Sheshin "Skënderbej" në Tiranë, kryeministri i Shqipërisë u shpreh se ky është një mandat për t’u bërë një me fatin evropian dhe sipas tij është një mandat për një sfidë historike.
Edi Rama mban fjalimin e fitores për herë të katërt, feston me mbështetësit e tij
Edi Rama mban fjalimin e fitores për herë të katërt, feston me mbështetësit e tij / AA
14 Maj 2025

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalimin e fitores në zgjedhjet parlamentare u shpreh se shumica dërrmuese e shqiptarëve votoi për një Shqipëri që bëhet gjithnjë e më mirë.

Partia Socialiste (PS), e drejtuar nga kryeministri Rama, sipas të dhënave paraprake, ka fituar zgjedhjet parlamentare që u mbajtën të dielën, duke siguruar mandatin e katërt qeverisës.

Në fjalimin e tij para mbështetësve në Sheshin "Skënderbeu" në Tiranë, Rama u shpreh se ky është një mandat për t’u bërë një me fatin evropian dhe sipas tij është një mandat për një sfidë historike.

"Ne do të bëjmë të pamundurën, që ta bëjmë një mandat po aq domethënës edhe historikisht, duke i mbyllur brenda vitit 2027 negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe duke e vendosur karrigen e Shqipërisë në tryezën e madhe të familjes evropiane, në vitin 2030", theksoi Rama.

Ai shtoi se ky është një mandat për një Shqipëri të re, me një pozicion e fuqi të re, sipas tij, "për të cilën do ta rrisim prodhimin e përgjithshëm kombëtar nga 25 miliardë euro që është sot në 35 miliardë euro".

"Ky është një mandat ku do të jemi edhe më pranë pensionistëve, me synimin që ta ngremë pensionin minimal në 200 euro, ndërkohë që pagën minimale do ta ngremë nga janari 2026 në 500 euro dhe në Shqipërinë 2030 ta kemi të paktën 650 euro. Ky është një mandat për Shqipërinë turistike me investime shembullore të nivelit më të lartë. Ky është një mandat për Shqipërinë me një industri të rilindur ushtarake dhe një industri të zhvilluar agroushqimore", tha Rama.

Zgjedhjet e 11 majit

Në Shqipëri më 11 maj u mbajtën zgjedhjet parlamentare, ku u votua për ta zgjedhur përbërjen e re të Kuvendit të Shqipërisë me 140 mandate.

Sipas rezultateve paraprake nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), nga 5.214 qendra të numëruara brenda vendit, nga 5.225 në total, PS-ja është në avantazh me 52,15 për qind, duke siguruar paraprakisht 83 mandate.

Koalicioni i drejtuar nga partia më e madhe opozitës, "Partia Demokratike dhe Aleanca për Shqipërinë Madhështore-PD-AShM", renditet i dyti me 34,26 për qind ose paraprakisht 50 mandate.

Partia Socialdemokrate, sa i përket numrit paraprak të mandateve, renditet e treta me 3,38 për qind për qind të votave ose 3 mandate.

Gjithashtu, mandate kanë siguruar edhe disa parti të tjera të reja, si Partia Mundësia dy mandate, Koalicioni "Nisma Shqipëria Bëhet" një mandat dhe Partia Lëvizja Bashkë një mandat.

Pjesëmarrja në zgjedhje, sipas të dhënave nga 3.037 qendra votimi të përpunuara, ishte 42,21 për qind.

Ndërkohë, procesi i numërimit të votave nga jashtë vazhdon dhe pritet të përfundojë në orët në vijim.

BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us