Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan, deklaroi të mërkurën se bisedimet e fundit midis Rusisë dhe Ukrainës në Istanbul shënojnë një tjetër hap drejt përfundimit të luftës, duke theksuar se “çdo arritje e re i sjell palët një hap më afër paqes”.
Në një deklaratë pas raundit të tretë të bisedimeve të drejtpërdrejta të organizuara nga Türkiye, Fidan theksoi se të dyja palët janë pajtuar për shkëmbimin e të paktën 1.200 të burgosurve të luftës, së bashku me hapa të rinj për kthimin e civilëve, përfshirë fëmijët.
“Me kënaqësi kemi vërejtur se negociatat po shkojnë në një drejtim më konstruktiv dhe të orientuar drejt rezultateve,” tha ai, duke nënvizuar rolin e Türkiyes si ndërmjetësuese.
Fidan tha se delegacionet kanë diskutuar masa konkrete për avancimin e konsultimeve teknike mbi armëpushimin dhe janë pajtuar të punojnë për formimin e grupeve të përbashkëta të punës mbi çështje politike, humanitare dhe ushtarake.
“Është vendosur një tjetër tullë në ndërtimin e vullnetit të përbashkët për një zgjidhje,” tha ai. “Negociatat duhet të zhvillohen me durim. Mbështetja dhe interesimi që bashkësia ndërkombëtare ka treguar për takimet në Istanbul reflektojnë gjithashtu etjen globale për paqe.”
Shefi i delegacionit ukrainas, Rustem Umerov, tha se Kievi propozon organizimin e një takimi në nivel presidencial deri në fund të gushtit dhe falënderoi Türkiyen për ndërmjetësimin.
Ukraina gjithashtu ka sinjalizuar gatishmërinë për armëpushim pa kushte paraprake.
Nga ana ruse, negociatori Vladimir Medinski konfirmoi shkëmbimin e të burgosurve dhe propozoi armëpushime afatshkurtra për evakuimin e të plagosurve dhe nxjerrjen e trupave të ushtarëve të vrarë.
Ai tha se Moska ka shqyrtuar listën e fëmijëve ukrainas për riatdhesim dhe është e hapur për raundin e katërt të bisedimeve.