TÜRKİYE
2 minuta leximi
Erdoğan pas tërmetit në Istanbul: Pa pasoja të rënda dhe pa arsye për shqetësim
Erdoğan u informua nga ministrat përgjegjës, drejtori i Drejtorisë për Situata të Jashtëzakonshme (AFAD) dhe guvernatori i Istanbulit për situatën në terren, pas së cilës ai theksoi se "deri tani nuk duket të ketë ndonjë situatë shqetësuese."
Erdoğan pas tërmetit në Istanbul: Pa pasoja të rënda dhe pa arsye për shqetësim
Erdoğan pas tërmetit në Istanbul: Pa pasoja të rënda dhe pa arsye për shqetësim / TRT Balkan
23 Prill 2025


Presidenti i Republikës së Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, deklaroi të mërkurën se pas tërmetit që goditi Istanbul nuk ka arsye për shqetësim dhe nuk janë raportuar pasoja serioze.

Erdoğan u informua nga ministrat përgjegjës, drejtori i Drejtorisë për Situata të Jashtëzakonshme (AFAD) dhe guvernatori i Istanbulit për situatën në terren, pas së cilës ai theksoi se "deri tani nuk duket të ketë ndonjë situatë shqetësuese."

Ai shtoi se situata po ndiqet nga afër dhe se të gjitha institucionet përkatëse janë në gjendje gatishmërie.

Tërmeti me magnitudë 6,2 shkallë të Rihterit goditi të mërkurën Istanbulin, me epiqendër në Detin e Marmarasë, pranë komunës Silivri, njoftoi AFAD-i.

Sipas informacioneve zyrtare, lëkundjet u regjistruan në një thellësi prej 6,92 kilometrash dhe u ndjenë edhe në qytetet përreth, duke shkaktuar panik te popullata. Shumë qytetarë, nga frika e tërmeteve pasuese, lanë shtëpitë dhe bizneset e tyre dhe dolën në rrugë e hapësira të hapura.

Ministri turk i Transportit dhe Komunikimeve, Abdulkadir Uraloğlu, deklaroi se raportet paraprake nga terreni tregojnë se nuk ka dëmtime në infrastrukturë – përfshirë rrugët, aeroportet, linjat hekurudhore dhe metronë.

Zyra e Guvernatorit të Istanbulit njoftoi se deri tani nuk ka raportime për shembje objektesh, por ekipet e shpëtimit dhe ato për vlerësimin e dëmeve janë në terren duke bërë kontrolle të detajuara në zonat e prekura nga tërmeti. Janë regjistruar gjithashtu disa paslëkundje me intensitet më të ulët.


BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us