RAJONI
3 minuta leximi
Dodik pas përpjekjes për t’u arrestuar: Ndihem mirë dhe i sigurt
“Kjo është Republika Srpska dhe SIPA shkeli ligjin”, shkroi Dodik në një postim në platformën sociale X pasi oficerët e SIPA-s u përpoqën ta arrestojnë atë në Qendrën Administrative të Qeverisë së Republikës Srpska.
Dodik pas përpjekjes për t’u arrestuar: Ndihem mirë dhe i sigurt
Dodik pas përpjekjes për t’u arrestuar: Ndihem mirë dhe i sigurt / AA
10 orë më parë

Presidenti i entitetit Republika Srpska të Bosnjë e Hercegovinës, Milorad Dodik, është shprehur se ndihet “mirë dhe i sigurt” pas përpjekjes për arrestimin e tij në Sarajevën Lindore nga oficerët e Agjencisë Shtetërore të Hetimit dhe Mbrojtjes (SIPA).

“Kjo është Republika Srpska dhe SIPA shkeli ligjin”, shkroi Dodik në një postim në platformën sociale X pasi oficerët e SIPA-s u përpoqën ta arrestojnë atë në Qendrën Administrative të Qeverisë së Republikës Srpska.

Gjykata Kushtetuese e Bosnjë e Hercegovinës pezulloi përkohësisht ligjet e Asamblesë Kombëtare të Republikës Srpska, të cilat ndalojnë punën e agjencive shtetërore gjyqësore dhe të sigurisë në këtë entitet.

Dodik tha se nuk e ka “ndërmend të largohet nga ky objekt nën presion”.

Më herët, SIPA njoftoi se oficerët e saj në mbrëmje u “përpoqën të zbatojnë urdhrin e Gjykatës së Bosnjë e Hercegovinës që ka të bëjë me heqjen e lirisë”, por siç tha agjencia, pasi biseduan me anëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Srpska, që “po siguronin Dodikun”, ata u tërhoqën.

“Ata janë tërhequr nga vendi i ngjarjes, sepse kanë vlerësuar se mund të ketë shkelje të rendit dhe qetësisë publike. Nuk ka pasur përdorim të forcës”, tha zëdhënësja e SIPA-s, Jelena Miovçiq.

Dodik në postimin e tij në rrjetet sociale tha se “policia e Republikës Srpska nuk do të heq dorë nga asnjë sfidë kur bëhet fjalë për mbrojtjen e institucioneve dhe kushtetutës”.

Ai po ashtu i quajti “pushtues” SIPA-n, si dhe Gjykatën e Bosnjë e Hercegovinës dhe përfaqësuesin e lartë në vend, Christian Schmidt.

Kriza në Bosnjë e Hercegovinë

Kriza politike pasoi pasi Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës në fund të muajit shkurt dënoi kreun e entitetit Republika Srpska, Milorad Dodik, me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim nga mbajtja e detyrës së presidentit të entitetit për “mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë të Bosnjë e Hercegovinës”.

Më pas, Zyra e Prokurorit të Bosnjë e Hercegovinës lëshoi një urdhër-arrest ndaj Dodikut, si dhe kryeministrit të Republikës Srpska, Radovan Vishkoviq dhe kreun e Asamblesë Kombëtare të entitetit, Nenad Stevandiq, pasi asambleja e miratoi dhe Dodik e nënshkroi një dekret që shpall ligjin që ndalon funksionimin e organeve shtetërore gjyqësore dhe të sigurisë në entitetin Republika Srpska të Bosnjë e Hercegovinës.

Më herët, Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës pranoi propozimin e Prokurorisë së Shtetit për lëshimin e një udhër-arresti ndërkombëtar ndaj Dodikut dhe Stevandiqit, të cilët akuzohen për veprën penale “sulm ndaj rendit kushtetues”. Interpoli nuk lëshoi urdhër-arresti ndërkombëtar dhe Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës kërkoi një rishikim të këtij vendimi.

Ndërkohë, Dodik disa herë ka kaluar kufirin e Bosnjë e Hercegovinës për të udhëtuar jashtë vendit.

BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us