Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e Shqipërisë (GjKKO) ka vendosur vazhdimin e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim, kishte kërkuar revokimin ose zëvendësimin e masës së arrestit në burg, ndërkohë sot është mbajtur seanca gjyqësore për kërkesën e tij.
Në një njoftim për mediat, GjKKO-ja konfirmoi vendimin ndaj kryebashkiakut Veliaj.
Sipas gjykatës, kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Arrestimi i kryebashkiakut Veliaj
Veliaj është arrestuar më 10 shkurt 2025, i dyshuar sipas autoriteteve për korrupsion dhe pastrim parash.
Ndërkohë, më parë ndaj bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa, është vendosur masa "ndalim i daljes jashtë shtetit" dhe "detyrim për t'u paraqitur në policinë gjyqësore", e dyshuar për disa vepra penale.
Veliaj është kryetar i Bashkisë së Tiranës që prej vitit 2015, ndërkohë ka mbajtur post edhe në Qeverinë e Shqipërisë, si dhe ka qenë edhe deputet.