Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) ka bërë të ditur se kolera ka marrë jetën e më shumë se 1.500 njerëzve në vetëm tre muaj, pasi sëmundja vazhdon të përhapet në rajonet e cenueshme nga konfliktet, zhvendosjet dhe fatkeqësitë e lidhura me klimën.
Sipas raportit të OBSh-së, midis 1 janarit dhe 30 marsit të vitit 2025, gjithsej 116.574 raste të kolerës dhe 1.514 vdekje u regjistruan në 25 vende në tre rajone të OBSh-së. Rajoni afrikan raportoi numrin më të madh të infeksioneve dhe vdekjeve, i ndjekur nga rajonet e Mesdheut Lindor dhe Azisë Juglindore.
Vetëm në muajin mars, 517 njerëz vdiqën nga komplikimet e lidhura me kolerën, me 32.985 raste të reja të raportuara në 22 vende, duke shënuar një rënie modeste nga muaji shkurt, por duke theksuar ashpërsinë e vazhdueshme të shpërthimit global.
Pavarësisht stabilizimit të rezervave globale të vaksinës së kolerës orale (OCV) në 5.2 milionë doza, OBSh-ja paralajmëroi se rritja e kërkesës globale ende tejkalon shumë furnizimin, duke penguar përpjekjet për t'iu përgjigjur me shpejtësi shpërthimeve dhe zbatimin e fushatave parandaluese.
“Konflikti, zhvendosja masive, fatkeqësitë natyrore dhe ndryshimet klimatike po intensifikojnë shpërthimet e kolerës, veçanërisht në zonat rurale dhe të prekura nga përmbytjet ku qasja në ujë të pastër dhe kujdes shëndetësor është i kufizuar”, tha agjencia e OKB-së në raport.
Sipas OBSh-së, “këta faktorë ndërkufitarë i kanë bërë shpërthimet e kolerës gjithnjë e më komplekse dhe më të vështira për t'u kontrolluar”.
Kolera është një sëmundje që parandalohet dhe që trajtohet, por pa qasje në kohë në kujdes dhe ajo mund të vrasë brenda disa orësh. OBSh-ja vazhdon të bëjë thirrje për mbështetje urgjente globale për ta përmirësuar ujin, kanalizimet, infrastrukturën e kujdesit shëndetësor dhe prodhimin e vaksinave për të frenuar përhapjen e sëmundjes vdekjeprurëse.